Kakavijë, kthehen drejt Greqisë rreth 15 mijë emigrantë
KAKAVIJË- Rreth 15 mijë emigrantë kanë lënë pas tokën shqiptare gjatë 48 orëve të fundit vetëm nga Pika e Kalimit Kufitar e Kakavijës. Fundjava ka shënuar një fluks të madh të largimit të emigrantëve drejt Greqisë, pas festimit në atdhe të festave të fundvitit, e lidhur kjo edhe me fillimin e punës dhe sistemit arsimor.
Plot 11 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj me rreth 3 mijë automjete janë kthyer vetëm gjatë ditës së dielë. Sot, rreth 4500 emigrantë kanë kaluar traun e doganës shqiptare, ndërsa është punuar me një numër të lartë sportelesh dhe efektivash policorë, për të bërë të mundur shmangien e radhëve dhe orëve të pritjes.
Kështu, mësohet se pala shqiptare në këtë vendkalim po punon me 9 sportele, ndërsa ajo greke me 6 sportele. Burime zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë pohuar se edhe takimet me drejtues të pikës greke janë të vazhdueshme për të rakorduar në këtë mënyrë lëvizjet, për të bërë të mundur një mbarëvajtje të procesit të largimit të emigrantëve.