PD: Përmbytjet, alternativa e vetme e Ramës

Partia Demokratike ka reaguar sot me anë të zëdhënëses së saj Erla Mëhilli për deklaratën e deputetit të opozitës, Ilir Beqja i cili u shpreh se qeveria ka braktisur banorët e zonave të përmbytura.
"Edi Rama dhe bllokmenët e rinj, pasi kaluan pushimet e fundvitit në Burgalarab dhe detërat e nxehta, u sollën sot shqiptarëve si urim, "Rroftë përmbytja".
Deklarata e sotme e Edi Ramës për përmbytjet, janë dëshmi tjetër se ai alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore" tha Mëhilli.
Sipas saj, reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetëra e dhjetëra herë prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre, në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe në lumin e Shalës u përballuan me dëmet më minimale.
"Kjo së pari për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatave emergjente dhe së dyti nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin e Matit, në atë të Drinit, Kirit e Vjosës, të cilët përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë dhjetë ditëshit të fundit" theksoi Mëhilli.