E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja e Tiranës dhe Amfiteatri i Durrësit kthehen në zona muzeore

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka diskutuar dje dy projektet për qendrat arkeologjike. Kalaja e Tiranës do kthehet në qendër muzeore funksionale, ku disa godina do të restaurohen e të tjera do të shemben, ndërsa në Amfiteatrin e Durrësit do të zgjerohet hapësira e vizitueshme, mbi të cilën sot ndodhen disa banesa

Kthimi i kalasë së Tiranës në një qendër muzeale dhe zgjerimi i hapësirave të vizitueshme të Amfiteatrit Antik të Durrësit, janë dy projekte që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë i pati prioritete të mbledhjes së dhjetë të tij. Të dyja, projekte të hartuara nga studio private “Frashëri”. Përfaqësuesi i kësaj studioje, Gjergj Frashëri, para se të kalonte në një përshkrim të detajuar e teknik të projekteve për specialistët, sqaroi ndërhyrjet kryesore që parashikohen të kryhen në këto dy qendra arkeologjike. “Ne synojmë që kalaja e Tiranës të kthehet në një qendër muzeale në përdorim dhe jo thjesht e vizitueshme. Projekti që po paraqesim parashikon ndërhyrjen në tri faza: do të bëhen punime restauruese në muret rrethuese, përfshirë këtu edhe restaurimin e objekteve të ndryshme që gjenden në këtë zonë e do të jenë funksionale. Së dyti, do të bëhen punime për gjurmime arkitektonike, sepse brenda sipërfaqes së kalasë mund të ketë ende rrugica të vjetra apo rrënoja dhe së treti, janë gërmimet arkeologjike për të parë nëse në disa zona plotësisht të panjohura të kalasë mund të ketë vlera”, ka theksuar Frashëri. Kur ka folur për rivlerësimin e disa objekteve që ndodhen në hapësirën e kalasë, Frashëri ka pasur parasysh edhe ndërtime historike siç janë sarajet e Toptanëve që sipas projektit do t’i nënshtrohen restaurimit, por edhe objekte të ngritura vitet e fundit si ndërtimet që ka bërë policia, disa magazina të vjetra apo shërbime private që sipas Frashërit një pjesë edhe do të prishen. “Godinat e tjera që do të përfshihen në procesin restaurues do të mund të jenë funksionale për shërbime të diplomatëve apo për aktivitete të ndryshe. Ne parashikojmë që në këtë zonë të ngrihet edhe kinemaja e Tiranës, dikur shumë e njohur dhe e mbetur në kujtimet tona”, ka thënë Frashëri. Fillimisht në këtë zonë, sipas planit rregullues të Tiranës, bashkia kishte parashikuar të kalonte unaza e vogël. Zbulimi i fragmenteve të mureve rrethuese dhe si rrjedhojë shpallja para një viti e Kalasë së Tiranës monument arkeologjik, bëri që në diskutim me studio të huaja kjo zonë të kthehej pedonale(këmbësore). Pak ditë më parë, në gjatësinë e kësaj rruge që shkon shumë afër me muret rrethuese janë bërë punime me ekskavator. I pyetur se sa mund të rrezikonte kjo mënyrë punimi rrënoja që mund të ndodhet ende të pazbuluara, Frashëri ka thënë se punimet ndiqen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe projekti që studioja e tij ka hartuar, nuk ka lidhje me këtë pjesë. “Nuk ndodh gjithmonë që mendimi i specialistëve privatë të përputhet me atë të specialistëve shtetërore, por në këtë rast kjo është përgjegjësi e tyre”, ka theksuar ai. Prirjen rreth zgjerimit të hapësirave të vizitueshme dhe kthimit në qendër muzeale kishte edhe projekti që studioja “Frashëri” paraqiti për Amfiteatrin e Durrësit. Edhe në këtë rast, punimi do të jetë i ndarë në tri faza. “Restaurimi i Amfiteatrit të Durrësit është një problem jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar, për arsye të masivitetit të problematikës që ka, pasi ne duam ta bëjmë një vend sa më të vizitueshëm. Pika më e rëndësishme e projektit është ndërhyrja në pjesën veriore të Amfiteatrit. Do të synohet që gjysma e sipërfaqes të përfshihet në teatër dhe të vihet në përdorim. Për këtë është e nevojshme që të shpërngulen disa banesa që ndodhen mbi amfiteatër, të cilat nuk përbëjnë asnjë vlerë historike. Ndërkohë, një 10% e hapësirës do të lihet siç ka ardhur nga epoka, për të shërbyer si një hapësirë historike, duke ndërhyrë në të vetëm me punime konservuese”, ka theksuar Gjergj Frashëri. Ministri Xhaferraj që në fillim i ka konsideruar këto dy projekte në përputhje me vizionin e Ministrisë së Kulturës, e cila synon që trashëgimia kulturore të vihet në shërbim të turizmit kulturor. Në vazhdim, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka diskutuar projekte të Institutit të Arkeologjisë për vitin 2010.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›