E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia ka dhunuar të drejtat e popullsisë rome

Gjykata Europiane

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dhënë një vendim, sipas të cilit Kroacia diskriminon popullsinë rome që ndodhet në vend. Ky diskriminim pasqyrohet në vendimin për të vendosur nxënësit romë në klasa të posaçme vetëm për ta. Ndërkaq, shteti kroat ka argumentuar se një veprim i tillë është ndërmarrë për të ndihmuar nxënësit romë që të ndihen më mirë me fëmijët e tjerë. Kjo të paktën, sipas konceptit që kanë autoritetet kroate për afrimin mes popullsisë rome dhe asaj kroate. Por nuk kanë qenë të këtij mendimi 15 ish-nxënës me origjinë rome, të cilët kanë këmbëngulur që një mënyrë e tillë e vendosjes së klasave vinte nga diskriminimi racor dhe si pasojë dhunonte të drejtën e shkollimit të romëve me të tjerët. Në bazë të këtij vendimi të gjykatës, shteti kroat duhet që t’i paguajë 4500 euro secilit prej nxënësve që është vendosur në një klasë më vete. Në vitin 2008, Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg nuk i ka marrë parasysh kërkesën e nxënësve, por vendimi i kësaj gjykate është rrëzuar nga Gjykata e Apelit. Në fakt, kanë kaluar 8 vjet që nga paraqitja e ankesës së ish-nxënësve romë. Ndërkaq, Kroacia vetë ndodhet në prag të pranimit në Bashkimin Europian. Ish-nxënësit kanë qenë banorë të fshatit Mecinec në veri të vendit në periudha të ndryshme nga viti 1996 deri në vitin 2000. Gjykata shpalli në vendimin e saj se Kroacia kishte dështuar që të trajtonte në mënyrë të barabartë nxënësit romë me ata kroatë, duke ndikuar kështu dhe në lënien e shkollës nga shumë nxënës me ngjyrë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›