E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet kriza, PD rrëzon draftin e PS

Miratohen amendamentet e mazhorancës, socialistët braktisin mbledhjen

Mazhoranca ka rrëzuar thelbin e draftit të opozitës për hetimin e zgjedhjeve duke ndërmarrë një hap prapa pas votimit të së hënës për miratimin në parim të projektligjit të paraqitur nga socialistët. Gjithçka është rrëzuar pas paraqitjes së amendamenteteve të tre deputetëve të PD-së: Gent Strazimiri, Eduard Halimi dhe Edi Paloka, të cilat kërkojnë heqjen e dy neneve kryesore të draftit të paraqitur nga Partia Socialiste. Menjëherë sa ka nisur diskutimi i amendamenteve, deputetët e PS-së janë larguar nga mbledhja duke e konsideruar këtë një provokacion. Deputeti Fatmir Xhafa deklaroi “Ishte thjesht një hipokrizi, për shkak sepse relacioni i paraqitur dhe në mënyrë të veçantë amendamentet e sotme të cilat janë shprehje, reflektim i qëndrimit politik që lidershipi politik, Kryeministri Berisha ka për iniciativën tonë ligjore, rrëzon në thelb atë çfarë ne kemi kërkuar, mundësinë e trajtimit si provë të kutive zgjedhore në procesin hetimor parlamentar”. Megjithatë, Komisioni i Ligjeve votoi nen për nen projektligjin për ngritjen e komisionit hetimor, por pa nenin 4 të tij. Varianti që do të shkojë në seancë plenare ditën e nesërme bazohet pothuajse tërësisht në amendimet që mbajnë firmën e Eduard Halimit, Edi Palokës dhe Gent Strazimirit.

“Të ngrihesh nga tavolina e komisionit, sepse nuk do të votosh pro themelit të shtetit tënd, themelit ku ti ushtron aktivitetin tënd politik është së paku absolute. Nuk mund të bëhet sakrifica për hir të qenies së tyre këtu duke hequr themelin mbi të cilin ngrihet gjithë shteti. Prandaj është ushtrim i pamundur ajo që zoti Xhafa na vendosi sot në tavolinë, ajo që zoti Xhafa na kërkoi ne të miratojmë”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli. Tri ndryshimet thelbësore që mazhoranca i bëri draftit të opozitës është reduktimi i kohës së punës së komisionit hetimor, heqja e nenit që flet për kutitë, si dhe reduktimi në maksimum i kompetencave të komisionit hetimor. Pas deklaratës së Xhafës, ka reaguar deputeti i PD-së, Eduart Halimi, sipas të cilit tryeza e Komisionit të Ligjeve nuk është tryezë ku mund të bëhen marrëveshje politike, por një komision që merret me cilësinë e ligjeve. Sipas tij, PS kërkoi që të kalohej në nenin 4 kur neni ende në diskutim ishte neni 1. “Ne i thamë PS të merrte kohën e duhur për të diskutuar me liderët e saj dhe pastaj të dilte me një qëndrim”. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali e quajti largimin e opozitës si një gjest për shmangie të debatit. Gjithsesi, sipas Rusmalit, mazhoranca nuk mund t’i shmanget debatit, pasi siç theksoi ai "Kuorumin në komisionin e kemi, ne do vazhdojmë me procedurën”. Dy ditë më parë, ky komision miratoi në parim me konsensus nismat e Partisë Socialiste për projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 'Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit". Por gjithçka është kthyer në pikën fillestare dhe në seancën e ditës së nesërme do të shkojnë për votim të dyja variantet: ai i miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i paraqitur nga Partia Socialiste.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›