E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalendari i zhurmuesve të opozitës së Edvinit

Specialistët e akustikës luftarake në kohë paqeje

Specialistët e akustikës kanë një rol të veçantë në kohë lufte, sepse akustika në këto momente shërben si mjet mbijetese. Përmes saj fshihet humbja, shmanget paniku, "goditet armiku", nuk shihet fundi i pamëshirshëm. Shumica dërmuese e njerëzve, duke mos qenë në betejë, mundet përkohësisht të mashtrohen. Dhe kjo zgjat deri në momentin e kapitullimit. Kjo është një skemë e njohur, e provuar në të gjitha konfliktet dhe luftërat e kohëve moderne. Por a është fushata elektorale në Shqipëri, shesh beteje e lufte?! Normalisht nuk mund të jetë e tillë. Po pse atëherë janë thirrur në skenë specialistët e akustikës, të cilët përpiqen të imitojnë zërin e profetit të tyre, Edi Rama?!! Dhe...A do të vazhdojë zhurma akustike deri në "kapitullimin" e Ramës?!
Lideri socialist i ka zgjedhur prej kohësh specialistët e akustikës së tij. Këta specialistë janë rreshtuar në frontet e punës. Dikush para ekranit të kompjuterit për të zbardhur "falsifikimin e radhës", dikush tjetër para mikrofonit për të dhënë lajmin e shpikur se "BE e ka skualifikuar Shqipërinë. Dhe në ndryshim nga akustika e betejave luftarake, këta specialistë të sponzorizuar nga kreu i opozitës, nuk raportojnë për "fitoret e tyre". Raportojnë vetëm për humbjet "e armikut" në beteja të tjera jashtë konfliktit me opozitën si dhe "për humbjet e asaj që ata e quajnë "Shkretëtira made in Albania". Këto beteja zhvillohen p.sh. në Bruksel, sipas mikrofonëve që përçojnë akustikën edviniste.
Duket se akustika e Ramës synon të kompensojë elementët deficitarë të veprimtarisë dhe ideve të tij për elektoratin shqiptar. Përmes kësaj akustike dhe specialistëve që ai ka përzgjedhur nga konkursi paraelektoral, kreu i socialistëve dëshiron të komunikojë me njerëz, për të cilët ai mendon se kanë vetëm veshë, por që nuk shohin, nuk nuhasin, nuk mendojnë, nuk gjykojnë. Pra njerëz, të cilëve u mungojnë shumica e shqisave të perceptimit, përveçse veshëve. Ndaj dhe atij i duhen akustikëbërësit, akustikaranxhuesit. Dëgjuesit në kohën e akustikës luftarake janë gjithnjë pasivë. Aktiv mbetet vetëm "sovrani", d.m.th ai që jep urdhrat, d.m.th Rama, të dëgjohet.
Studiot akustike dhe redaksitë mbeten mjeti i vetëm për të injoruar qwniet njerëzore, të cilave ato u drejtohen. Nga këto studio dëgjohet vetëm një zë, zëri i "sovranit" me emrin Edi Rama. Mikrofonat, në vend që të shërbejnë për transmetimin e zërit të ëmbël, të qartë e meliodoz, shndërrohen në megafonë. Madje transmetojnë figura tmerri, sikur shoqëria shqiptare po del nga një betejë shkatërrimtare, sikur asaj do t'i duhet të ringrihet nga themeli, pas një kataklizmi të përjetuar.
Në të vërtetë, lufta akustike për mbijetesë e Edi Ramës dëshmon se ai vërtet e përjeton si kataklizëm pranimin e Shqipërisë në NATO ose aplikimin e saj për t'u pranuar në BE. Sipas akustikës luftarake të krijuar nga ai, bota funksionon më mirë përmes urdhrit, sesa përmes ligjit, ushtrimi i pushtetit dhe sundimit bëhet më optimal. Në këto raste akustikës i rriten volumet, gjë të cilën e favorizon teknika moderne. Sa më shumë ulërihet "kapeni hajdutin", aq më shumë largohet hija e hajdutit të vërtetë. Sa më shumë mikrofona të zhurmshëm në pritje të lajmit të kobshëm për "kataklizmën shqiptare", aq më shumë sy mbyllen. Kështu fillon e nuk funksionon normalisht truri dhe nervi i të parit dobësohet, lëshon hije, mjegull.
Kjo strategji luftarake e akustikës së Edi Ramës nuk ka shanse të funksionojë. Shqiptarët, përveç veshëve, kanë dhe shqisat e tjera të perceptimit të realitetit. Nëse Edi Rama i ka futur në frontin e luftës me kapacitet të plotë të gjithë specialistët e tij të akustikës antishqiptare, kjo nuk do të thotë se zhurma e tij mund "t'ua heqë gjysmën e trurit" njerëzve. Madje kjo do të thotë që "sovrani" i luftës akustike, pra Rama, të izolohet. Ndërsa specialistët e akustikës që ai ka zgjedhur për "këtë kohë lufte", zgjedhjesh, të mëshirohen në rolin dhe fatin e tyre prej bujkrobërish pa dinjitet.
Franc Kafka, në romanin e tij "Procesi" shkruante: "Duhet të zgjedhësh, çfarë dëshiron të bëhesh - mbret apo korrier i mbretit". Mbreti i akustikës mashtruese tashmë është i njohur, njihen gjithashtu korrierët e tij. Sa më shumë t'i shmangemi këtij tabori zhurmues, aq më mirë e perceptojmë realitetin dhe e përjetojmë paqen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›