E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalimi kufitar, Tahiri: Tarifat e larta, të përkohshme

PRISHTINE -  Përfaqësues të kompanive të sigurimeve nga Kosova dhe Serbia janë takuar në Vjenë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për të diskutuar rreth tarifave të larta që qytetarët janë të detyruar t’i paguajnë me rastin e kalimit të kufijve nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëkohësisht shefe e ekipit negociues me Serbinë, Edita Tahiri deklaroi se tarifat e sigurimeve për lëvizjen e lirë do të jenë më të lira dhe se procedurat do të lehtësohen.

“Bisedimet kanë filluar. Javën e kaluar, kompanitë apo byrotë e kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe Serbisë, së bashku me palën e tretë, BE-në, janë takuar në Vjenë pikërisht për këtë çështje, për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje komerciale, e cila në fakt do të ndjekë modelin që ka Kosova me Shqipërinë dhe me Maqedoninë. Unë jam e bindur se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë shpejt, pasi që edhe pala serbe ka dhënë sinjale gatishmërie për këtë zgjidhje”, - ka theksuar Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se qeveria e Kosovës që në fillim nuk ka qenë dakord për këto tarifa kaq të larta, pasi një gjë e tillë e vështirëson lirinë e lëvizjes.

“Ne kemi kërkuar tarifa shumë më të përshtatshme për qytetarët, por kjo ka qenë kërkesë e palës serbe. Në emër të arritjes së marrëveshjes, ne i kemi dhënë radhë kësaj zgjidhjeje, por kjo është vetëm e përkohshme. Ne tashmë kemi filluar bisedimet në nivelin e grupit të ekspertëve, përkatësisht të kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi, me ç’rast qytetarët do të lirohen nga këto tarifa”, - ka shpjeguar zëvendëskryeministrja.

(er.nu/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›