E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallas kërkon përparim në dialog pas takimeve të ndara me Kurtin dhe Vuçiçin

PRISHTINË, 23 shtator/ATSH/ Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, kërkoi përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, në Nju-Jork. Kurti tha se në takimin me të ngriti edhe çështjen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe sulmin në Banjskë.

Kallas u takua veçmas me Kurtin dhe Vuçiçin në Nju-Jork, ku të tre po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht , janë detyruese”, tha ajo.

Sipas Kallasit, zbatimi i marrëveshjeve nuk është favor ndaj Brukselit, por detyrim ndaj qytetarëve dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale. BE-ja, tha ajo, do të vazhdojë të jetë ndërmjetëse e paanshme, por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.

“Është koha për të ecur përpara”, tha Kallas.

Kurti dhe Vuçiç nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga shtatori i vitit 2023. Kurti kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me dorëzimin e të dyshuarve për sulmin në Banjskë, për të cilin e akuzon Serbinë.

Gjatë takimit me Kallasin në Nju-Jork, Kurti kujtoi se më 24 shtator bëhen tre vjet nga sulmi në Banjskë. Në sulm u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë të shtënave që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Kosova kërkon vazhdimisht ekstradimin e Radoiçiçit nga Serbia, ku ai ka të regjistruar vendbanimin.

“Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, shkroi Kurti.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që të përfshirët të përballen me drejtësinë.

Vuçiq tha se me Kallasin diskutoi për marrëdhëniet Serbi-BE, reformat drejt anëtarësimit dhe stabilitetin rajonal, përfshirë pozitën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë. Ai shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me partnerët evropianë. /REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›