Drejt përfundimit rruga Berat-Ballaban, shkurtohen ndjeshëm distancat

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Punimet për realizimin e rrugës Berat-Ballaban po vijojnë me ritme të larta në të tre lotet, duke hyrë në fazën përmbyllëse.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier, ku pjesa kryesore e punimeve për ndërtimin e trupit të rrugës, veprave të artit dhe elementeve të tjera infrastrukturore është përfunduar.
Rama bëri të ditur se aktualisht po punohet për realizimin e shtresave asfaltike, si dhe për vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.
Po ashtu, aktualisht po kryhet instalimi i barrierave metalike mbrojtëse.
“Punimet po vijojnë me intensitet, drejt përfundimit të plotë të projektit dhe krijimit të një infrastrukture rrugore më të sigurt dhe funksionale për të gjithë përdoruesit e rrugës dhe banorëve të zonave përreth”, u shpreh kryeministri Rama.
Rruga Berat-Ballaban konsiderohet një aks strategjik që do të afrojë gjithnjë e më shumë dy prej qyteteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, Beratin dhe Gjirokastrën, të dy të mbrojtur nga UNESCO.
Kjo rrugë e shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga jugu drejt Beratit, duke sjellë më afër vizitorët vendas dhe të huaj që lëvizin përmes akseve Përmet–Tepelenë dhe më gjerë.
1 nga 6/m.m/j.p/r.e/