E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon votëbesimin Kryeministrja e Australisë

Kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, fitoi në zgjedhjet brenda partisë përballë kundërshtarit të saj kryesor, Kevin Rudd.

Gillard, e cila mposhti Rudd në qershor 2010, fitoi me 71 vota përballë 31, në zgjedhjet nga të cilat varej edhe fati i saj në krye të shtetit-kontinent, transmeton TCH.

Rezultati përbën një inkurajim madhor për një lidere që është përballur me ndarje të thella të brendshme së fundmi.

Duke folur pas votimit, Rudd u shpreh se do të mbështesë Kryeministren në programin e saj. Gillard do të jetë e detyruar të kryejë ndryshime në kabinetin e saj, pasi Rudd dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si Ministër i Jashtëm, përpara se të sfidonte Gillard.

Duke folur për mediat pasi i mbijetoi votëbesimit, Gillard falenderoi kolegët e saj për mbështetjen e fuqishme, ndërsa shprehu bindjen se do të vazhdojë të udhëheqë Partinë Laburiste deri në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2013.

“Jam e kënaqur që çështja e udhëheqjes së partisë është e mbyllur tashmë dhe do të mund të përqendrohem në problemet e rëndësishme të vendit”, deklaroi Gillard, në të njëjtën kohë që vlerësoi fushatën e kryer nga ana e Rudd, për të cilin njëkohësisht siguroi që do të vazhdojë të mbetet një figurë kyçe në radhët e laburistëve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›