“Kam frikë për familjen time”, kandidatja e së majtës për kryetare të qeverisë së Berlinit zbuloi pa dashje lidhjet e anëtarëve të partisë Die Linke me krimin e organizuar
Shqetësimin për sigurinë e saj dhe të familjes, për shkak të lidhjeve të disa drejtuesve të partisë së saj me grupe radikale palestineze dhe banda të krimit të organizuar, e shpreh kryetarja e grupit parlamentar të së Majtës (Die Linke) në Berlin dhe kandidatja e mundshme për të drejtuar qeverinë e këtij landi, Elif Eralp.

Shqetësimet u bënë publike nga revista Der Spiegel, pas një gabimi të bashkëpunëtorëve të saj.
Të mërkurën në mëngjes, revista Der Spiegel mori me email intervistën e Eralp për revistën, por gabimisht bashkëngjitur ishte edhe një shënim i saj — me gjasë i drejtuar bashkëpunëtorëve — ku ajo theksonte se nuk do t’u përgjigjej pyetjeve për lidhjet e drejtuesve të partisë me qarqe antisemite dhe kriminale, pasi kishte frikë për sigurinë e saj dhe të familjes.
“Nuk mund ta vë veten dhe familjen time në rrezik për hir të Spiegel-it. Çfarë të bëjmë tani, ta anulojmë të gjithë intervistën?”, kishte shkruar Eralp në një draft të përgjigjeve për revistën. Në të njëjtin shënim, ajo kishte shtuar: “Ka një PROBLEM! As unë, as bashkëshorti im nuk duam të përmenden emra. Ajo ka frikë nga këta njerëz, ashtu si edhe unë.”
Përfaqësuesi i saj i ishte përgjigjur se nuk mund ta fshinte pyetjen e gazetarit, ndërsa kandidatja kishte reaguar sërish: “Çfarë të bëj tani? Nuk duhej të kisha pranuar kurrë këtë intervistë.”
Në intervistën që u publikua më pas, Eralp u pyet për antisemitizmin brenda partisë së saj dhe, në veçanti, për deputeten Vanessa Emde, e cila mohon të drejtën e ekzistencës së shtetit të Izraelit.
Kandidatja për kryetare të bashkisë deklaroi se njihte shumë kolegë të partisë që ishin “shumë të përkushtuar” ndaj çështjes palestineze, por se nuk e kishte menduar që kjo fushatë mund të çonte në shkelje gjatë disa aktiviteteve të veçanta.
Në një pyetje të dytë, Der Spiegel e pyeti nëse po i referohej Ibrahim Ibrahim-it. Politikania e së Majtës nuk u përgjigj, duke theksuar se do të preferonte të fliste për politikat e strehimit dhe planet për shpronësimin e kompanive të pasurive të paluajtshme, me qëllim që apartamentet e tyre t’u vihen në dispozicion banorëve të qytetit.
“Do të veproj me vendosmëri kundër çdo forme të krimit të organizuar, dhunës apo terrorizmit. Për këtë arsye u kam dhënë fjalën banorëve të Berlinit dhe do ta zbatoj këtë zotim. E kam bërë të qartë se askush nuk do të më frikësojë dhe besoj se është krejtësisht normale dhe e kuptueshme që dikush të shqetësohet për familjen e vet”, deklaroi Eralp, pa iu referuar konkretisht artikullit të revistës apo personave të përmendur.
Aktualisht, Elif Eralp po përpiqet të formojë një koalicion në Berlin me të Gjelbrit dhe Partinë Socialdemokrate (SPD). Megjithatë, shumë anëtarë të së Majtës janë kritikuar për qëndrime antisemite, lidhje të ngushta me grupe radikale palestineze dhe marrëdhënie me krimin e organizuar.
Në festimet e partisë pas zgjedhjeve morën pjesë, ndër të tjerë, edhe anëtarë të bandës Remmo, si dhe Ibrahim Ibrahim, mbështetës i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), organizatë që Bashkimi Evropian e klasifikon si organizatë terroriste.