“Kam të njohur në Kadastër”, mashtronte qytetarët për zgjidhjen e problematikave me pronat, arrestohet 58-vjeçarja

Një 58-vjeçare është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se mashtronte qytetarë duke u premtuar zgjidhjen e problematikave të tyre pronësore përmes kontakteve që pretendonte se kishte në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Sipas policisë, 58 vjeçarja S.D., dyshohet se në bashkëpunim me një 27-vjeçare, ka mashtruar qytetarë të ndryshëm dhe ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 100 mijë euro.
Dyshohet se viktimave u premtohej se çështjet e tyre të pronësisë do të zgjidheshin përmes ndërhyrjes në institucionet përkatëse. Për të bindur qytetarët, ato dyshohet se i pajisnin edhe me dokumente të falsifikuara. Gjatë operacionit, policia sekuestroi një shumë eurosh, që dyshohet se ishte përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.
Për bashkëpunëtoren e dyshuar, shtetasen S. N., 27 vjeçe, policia ka referuar materialet në Prokurori dhe ndaj saj ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e rasteve të tjera që dyshohet se janë kryer nga 58-vjeçarja dhe bashkëpunëtorja e saj.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Premtimi”. Dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore, dhe duke i pajisur me dokumente false, vihet në pranga 58-vjeçarja dhe në hetim bashkëpunëtorja e saj.
Sekuestrohen një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t’iu zgjidhte çeshtjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtoren e dyshuar të 58-vjeçares, shtetasen S. N., 27 vjeçe. Këto shtetase dyshohet se nëpërmjet veprimtarive kriminale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar mbi 100 000 euro, nga qytetarë të ndryshëm. Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga shtetasja S. D. dhe bashkëpunëtorja e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Policia e Tiranës falënderon gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, për bashkëpunimin, dhe i siguron se qytetarët dhe mediat, se do të marrin për çdo rast të paraqitur, shërbim policor të menjëhershëm, profesional dhe të mbështetur në ligj.
/rtsh.al/