E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamarinos: Rikthehet teoria e Vorio-Epirit

07/02/2011  Konsulli grek thirrje antishqiptare. Shkoni në varreza dhe zbuloni origjinën greke

Në Vorio-Epir ekzistojnë grekë, dhe kjo do të verifikohet kur të bëhet regjistrimi i popullsisë

Deklaratat e djeshme të bëra nga konsulli grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu Kamarinos, i cili u bëri thirrje korçarëve që të mos kenë frikë të deklarohen se janë grekë, përbëjnë skandalin e radhës nga ana e përfaqësuesve të shtetit helen në Shqipëri. Diplomati grek u ka kërkuar banorëve të kësaj zone që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe të mos tremben për të shpallur origjinën e tyre. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe termin “Vorio-Epir”, duke rikujtuar madje edhe të drejtat që grekët e Shqipërisë kanë përfituar nga protokolli i Korfuzit në vitin 1914, e cili e njihte këtë zonë si krahinë autonome. “Do të jap edhe një herë të njëjtin mesazh: po, ekzistojnë grekë në Korçë. Po, vllehtë janë grekë. Grekë, mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, të shpallni origjinën reale dhe të gjithë atyre që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten ‘jam me siguri grek’, ju them një gjë: shkoni në varreza dhe shikoni varrezat e etërve dhe gjyshërve tuaj dhe gjuhën në të cilën janë të shkruar dhe merrni vendimin tuaj. Janë në gjuhën greke”, - deklaroi ikonomu Kamarinos. Gjithashtu ai theksoi se ekzistojnë të drejta të minoriteteve, por sipas tij këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë emrin Vorio-Epir. “Ky është Vorio-Epiri. Në Vorio-Epir eksitojnë grekë, kjo vërtetohet dhe do të vërtetohet më tepër kur të regjistrohet popullata dhe këtu duhet të funksionojnë të drejtat e minoritetit. Kurajë, shpresë dhe betejë”, - u shpreh Kamarinos. Qëndrimin e tij në mbështetje të politikës së vjetër të Vorio-Epirit i kanë mbështetur edhe dy përfaqësues të parlamentit grek, të cilët morën pjesë në këtë përvjetor. Nga ana tjetër, kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, i pyetur rreth kësaj deklarate të konsullit grek të bërë në festën e OMONIA-s në qytetin e Korçës, theksoi se ai nuk mban asnjë përgjegjësi për deklaratat e diplomatëve grekë, por mban përgjegjësi dhe jep shpjegime vetëm për punët e qëndrimet e partisë që ai drejton. Në lidhje me këto deklarata është shprehur edhe kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi, i cili ka deklaruar se tashmë është koha e patriotizmit dhe jo e nacionalizmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›