E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensione edhe për punonjësit shtëpiakë

07/02/2011  Rreth 75 për qind e kontributeve financohen nga shteti, pjesa tjetër nga kryefamiljari

Kontributi i detyrueshëm për sigurimet për këta persona është 1440 lekë në muaj

Skema e sigurimeve shoqërore siguron mbështetjen edhe për kategoritë e punonjësve shtëpiakë. Konkretisht, këta të fundit mund të përfitojnë pensione të të gjitha llojeve kundrejt derdhjes së kontributeve, të cilat janë në masë më të ulët nga sa ndodh për shtresat e tjera që mbështet kjo skemë. Kreu i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH-së, Naim Balluku, detajon edhe procedurën se si duhet vepruar për të gëzuar të drejtën e pensionit. “Në praktikën tonë të përditshme, ashtu sikurse dhe në vendet e tjera, ka hyrë punësimi i punëtorëve të shtëpisë nga disa familje që kanë njëfarë niveli ekonomik dhe e kanë të pamundur të administrojnë problemet dhe punët e familjes së tyre. Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.1114, datë 30.07.2008, i ndryshuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 700, datë 18.06.2009 si dhe në udhëzimin e Ministrisë së Financave nr.26, datë 16.04.2009 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore”, theksohet se nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore sigurohen në mënyrë të detyrueshme të punësuarit që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune si punëtorë shtëpie në familjet e të tjerëve vetëm për degën e pensioneve”, - shpjegon Balluku.

Përfitimet

Punëtorë shtëpie janë personat që punësohen nga kryefamiljari në punë të tilla, si: kujdestar për fëmijët, kuzhinier, pastrues, rojë-administrator shtëpie, asistent për të moshuarit etj., apo dhe në shërbime të ndryshme të kësaj natyre. Megjithëse një punësim i tillë aktualisht është përhapur, ende vihet re një paqartësi për të trajtuar këta persona në mënyrë të tillë që në kohën që ata të bëhen të paaftë, qoftë për arsye moshe ose sëmundje, të mund të sigurojnë jetesën e tyre. “Për rregullimin e marrëdhënieve të punës, me synim sigurimin shoqëror të tyre, del e nevojshme të sqarojmë si kryefamiljarët që punësojnë punëtorë shtëpie, ashtu dhe personat e punësuar për detyrimet që kanë lidhur me sigurimet shoqërore dhe përfitimet që rrjedhin nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore”. Kryefamiljarët që punësojnë persona si punëtorë shtëpie i lidhin marrëdhëniet e punës përmes një marrëveshje me shkrim ndërmjet palëve, ku përveç të tjerave shënohen detyrimisht numri i sigurimit shoqëror i personit të punësuar, koha e fillimit të punës dhe zgjatja e saj, “me ose pa afat”, si dhe paga mujore bruto.

Regjistrimi

Në këtë rast kryefamiljari përcaktohet në rolin e punëdhënësit dhe, si i tillë, ka detyrimin për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Regjistrimi dhe procedurat e pajisjes me numër sigurimi, si për rastin kur i punësuari shërben në një familje, ashtu dhe në më shumë se një familje bëhet sipas një procedure të thjeshtuar. Sipas këtij vendimi, kontributet e sigurimeve shoqërore për personat e punësuar si punëtorë shtëpie paguhen nga kryefamiljari, i përcaktuar si punëdhënës, në llogaritë bankare, të përcaktuara sipas procedurave të vendosura për këtë qëllim. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, sipas rregullave për pagesat e kontributeve nga personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël. Këta persona, sikurse dhe personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbim, ambulante, pajisen me librezën e kontributit, nga strukturat e sigurimeve shoqërore, të cilat janë të detyruara ta plotësojnë në vijimësi në bazë të kontributeve të paguara dhe vlerësohen të siguruar për efekt mbrojtjeje nga sigurimet shoqërore, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës. Në këtë rast në librezë shënohet: “I siguruar vetëm për pension”. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, sipas përcaktimit, është 1440 lekë në muaj.

75 % e kontributeve financohen nga shteti

Ashtu sikurse mund të gjykohet, pagesa për këtë kategori punonjësish, që paguhet tërësisht nga kryefamiljari, është në një nivel minimal dhe përbën rreth 25 për qind të shumës së kontributeve që paguan një i vetëpunësuar. Në këto kushte, shuma prej 75 për qind e kontributit financohet nga shteti. Sigurimi me kontribute minimale të kësaj kategorie punonjësish sigurisht që ka si qëllim lehtësimin e familjeve që punësojnë punëtorë shtëpie nga masa kontributesh të papërballueshme, të cilat do rëndonin në njëfarë mënyre ekonominë e tyre. Në këtë mënyrë është krijuar mundësia për sigurimin shoqëror të tyre, pa i ngarkuar këto familje me pagesa të papërballueshme.

Për trajtimin e pagesës dhe grumbullimin e derdhjes së kontributeve janë ngarkuar organet tatimore. Ndërsa me evidentimin dhe arkivimin e vjetërsisë në punë si dhe pajisjen me numrin e sigurimeve shoqërore është ngarkuar Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Lidhur me regjistrimin e personave si kryefamiljarë, që punësojnë persona si punëtorë shtëpie, duhet të mbahet parasysh:

- Ashtu sikurse u theksua, kryefamiljari që në këtë rast është caktuar në rolin e punëdhënësit dhe, si i tillë, ka detyrimin për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

- Po kështu kryefamiljari që punëson persona si punëtore shtëpie 2 ditë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e të punësuarve me pagën përkatëse.

- Kryefamiljari në këtë rast është i detyruar të deklarojë me shkrim në organin tatimor punëmarrësit e punësuar rishtazi të paktën 48 orë para fillimit të punës. Të larguarit nga puna duhet t’i deklarojë të paktën brenda 10 ditëve nga largimi.

- Po kështu kryefamiljari që punëson punëtorë shtëpie është i detyruar të pajisë personat me numrin e sigurimit shoqëror, të cilin duhet ta tërheqë nga organet e sigurimeve shoqërore menjëherë me fillimin e punës së personit dhe ta pasqyrojë në listëpagesën e radhës që dorëzon në organin tatimor.

Pagesa e kontributeve

Kontributet paguhen në llogaritë bankare të përcaktuara sipas procedurave të vendosura për këtë qëllim. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj sipas rregullave për pagesat e kontributeve nga personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël. Kryefamiljari është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë kontributet për personat që punëson, pavarësisht se ata gjatë periudhës tatimore mund të jenë të punësuar dhe në punëdhënës të tjerë, ose të vetëpunësuar. Gjithashtu të njëjtin veprim janë të detyruar ta kryejnë dhe punëdhënësit e tjerë, ose të vetëpunësuar.

Me këtë sigurim shoqëror aktualisht punëtorët e familjeve janë të siguruara për të gjitha kategoritë e pensioneve - pensione pleqërie, pensione invaliditeti dhe pensione familjare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›