E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paga minimale ende e pamjaftueshme

07/02/2011  Renditja nga FedEE. Në Luksemburg punonjësit paguhen minimalisht 1 682.76 euro në muaj

Shqipëria ndër të fundit në rajon, lë pas vetëm Bullgarinë me 123 euro në muaj

Pagat në Shqipëri mbeten ende shumë të ulëta. Paga minimale në vendin tonë edhe pse ka pësuar rritje prej korrik të 2010-ës, duke arritur në 190 mijë lekë të vjetra ose rreth 135 euro sërish e rendit vendin tonë mes vendeve të fundit në rajon dhe në Evropë. Sipas një renditjeje të bërë nga Federata Evropiane e Punëmarrësve, vetëm Bullgaria mbetet pas nesh me disa euro më pak, ku një pagë minimale shkon deri në 123 euro në muaj. Në vendin tonë forca e aftë për punë është 1,059 000 persona, por vetëm 916 mijë persona janë aktualisht të punësuar, me 243 mijë persona të punësuar në sektorin privat, me 167 mijë persona në atë shtetëror dhe me 503 mijë persona të punësuar në bujqësi. Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror është 447 000 mijë lekë të vjetra. Këto të ardhura minimale janë të pamjaftueshme për familjet e varfra në vendin tonë duke marrë parasysh rritjen ditë pas dite të çmimeve për produktet bazë të konsumit. Akoma më e pashpresë duket e ardhmja pasi tendenca e çmimeve synon rritjen për shkak të tensioneve në shtete si Tunizia dhe Egjipti, apo fatkeqësive natyrore në Australi.

Pagë minimale ose pagë kolektive

Sipas analizës të të dhënave të bërë nga kjo federatë, shumë shtete në Evropë operojnë me paga minimale kolektive, të cilat shkojnë nga 108 euro në muaj për Federatën Ruse ose 4 330 rubla ruse deri në 1 682.76 euro në muaj në Luksemburg, që është edhe niveli më i lartë dhe përfshin vetëm punëmarrësit e pakualifikuar. Paga minimale në Britaninë e Madhe është 1 005.33 paund ose 1 191 euro. Danimarka, Finlanda, Gjermania, Italia dhe Suedia sipas raportit nuk kanë një nivel minimal kombëtar për pagat, por gjithsesi kanë nivele minimale të pagesës mujore e vendosur me marrëveshje mes sindikatave kolektive të sektorëve të ndryshëm që mbulojnë një pjesë të madhe të popullsisë aktive për punë. Ndërkaq, Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, ka vendosur një nivel minimal prej 545 dollarësh amerikanë në muaj në vitin 2009. Në Slloveni paga prej 510 euro është paga neto e vendosur nga viti 2010. Ajo pritet të rritet në 562 euro neto në vitin 2012.

Niveli krahasimor i pagave në Evropë

Analiza e të dhënave të Federatës tregon se në ato vende ku nivelet zyrtare të pagave shprehen me pagë për orë apo për javë, janë konvertuar në nivele pagë për muaj, në bazë të nivelit 40 orë punë në javë dhe 52 javë në vit. Nivelet e pagave janë të ardhurat bruto, ku nuk përfshihen paga e 13-të apo e 14-të që mund të jetë e parashikuar në legjislacionet kombëtare apo në marrëveshjet me sindikatat përkatëse të vendeve. Sipas të dhënave të Federatës, paga minimale për Austrinë prej 1 000 eurosh është e zbatueshme për të gjithë sektorët duke nisur nga 1 janari 2009. Të punësuarit kanë të drejtë të marrin 14 pagesa mujore çdo vit. Në Luksemburg paga prej 1,682.76 eurosh është e zbatueshme vetëm për punëtorët e pakualifikuar. Në Rumani paga prej 600 new leu e barabartë me rreth 140,9 euro paguhet për 170 orë në muaj. Në Greqi, Portugali dhe Spanjë punonjësit e shëndetësisë marrin nga 740 euro. Ata përfitojnë normalisht 14 paga mujore në vit. Sa i përket pagave minimale në Portugali pritet të rritet nga muaji maj dhe shtator 2011. Në Greqi aplikohen norma të ndryshme pagash për jakat e bardha dhe punonjësit e tjerë që ndryshojnë nga kohëzgjatja e shërbimit dhe statusi martesor. Në Francë paga prej 1 365 eurosh është e bazuar në punën prej 35 orësh në javë. Në Qipro paga prej 840 euro është e aplikueshme për disa grupe të sektorëve që nuk kanë grupime kolektivë pas 6 muaj punësimi. Në Hungari paga minimale 73 500 forints ose 273 euro është 20 për qind më e lartë se minimumi kombëtar bazë për ata persona që kanë arsim të mesëm ose profesional, por që kanë më pak se dy vjet eksperiencë pune dhe 25 për qind më e lartë për ata me të paktën dy vjet përvojë ose më shumë se 50 vjeç. Punonjësit me arsim universitar kanë të drejtë për një pagë minimale që është 60 për qind më e lartë se minimumi kombëtar bazë. Në Maltë paga minimale është 634.75 euro dhe normat e larta të pagave janë të caktuar me urdhër të veçantë në sektorë si bujqësia, produktet e xhamit, prodhimit të ushqimit, makina me qira dhe transportit me autobusë privatë, spitale, prodhimi i letrës, plastikës, industrinë kimike, sektorin e naftës, shërbimeve private të sigurisë, zyrat profesionale, publike, prodhim tekstile, prodhim duhani, pajisjet e transportit dhe shërbime private pastrimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›