E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamatat forcojnë euron

Nga Express më 10 prill 2011 në ora 22:05

Në tregun valutor kursi i euros ndaj dollarit ka prekur shkallën më të lartë në 15 muajt e fundit, pasi që Banka Qendrore Evropiane ngriti shkallën e kamatës bazë. Kursi i valutës evropiane është rritur gjatë kësaj jave 1,75 për qind, në 1,4480 dollarë.

Në raport me valutën japoneze, vlera e euros ka shënuar ngritje 2,59 për qind, në 122,75 jenë, kurse për një moment, për herë të parë pas 11 muajsh, është ngritur në lartësinë prej 123 jenësh.

Edhe dollari ka shënuar ngritje karshi valutës japoneze 0,89 për qind, në 84,75 jenë, ndërsa në gjysmën e dytë të javës ka arritur në 85,53 jenë, shkalla më e lartë në gjashtë muajt e fundit.

Pavarësisht forcimit ndaj jenit, indeksi i dollarit, i cili tregon vlerën e valutës amerikane ndaj gjashtë valutave tjera kryesore në botë, ka shënuar rënie në 75,10 pikë, që paraqet shkallën më të ulët që nga dhjetori i vitit 2009.

Banka Qendrore Evropiane ka ngritur, për herë të parë në dy vjetët e fundit, kamatën bazë nga niveli i ulët rekord 1,0 në 1,25 për qind, ndërsa kreu i kësaj banke Zhan Klod-Trishet ka sinjalizuar se banka, nëse do të jetë e nevojshme, do të ngritë serish kamatën bazë.

Duke iu falënderuar vendimit të Bankës Qendrore Evropiane, është rritur edhe diferenca e kamatave në eurozonë dhe SHBA, ku kamatat bazë lëvizin nga niveli i ulët rekord 0 deri në 0,25 për qind.

Ende është e paqartë se kur Rezervat federale amerikane do të ashpërsojnë politikën monetare, ndonëse më herët ishte paralajmëruar se kjo do të ndodhë në qershor. Por, një gjë e tillë mbetet të shihet duke pasur parasysh se drejtuesit e Rezervave federale amerikane janë të ndarë në qëndrime.

Përveç dollarit, në presion kësaj jave ka qenë edhe valuta japoneze, pasi që banka e atjeshme qendrore ka sinjalizuar se është e gatshme që të zbusë politikën monetare, për të ndihmuar ekonominë, pasi që vendin e goditën tërmeti, cunami dhe kriza nukleare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›