Shtatorja e Nënë Terezës në Augsburg
Nëna Terezë përfaqëson jo vetëm simbolin botëror të humanizmit por edhe shpirtin human të kombit shqiptar. Kështu tha të shtunën, ndër të tjera, ministri i kulturës, rinisë dhe sportit të Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi gjatë përurimit të shtatores se humanistes shqiptare Nëna Terezë në Augsburg të Gjermanisë. Zbulimi i kësaj shtatore, është bërë në praninë e shumë qytetarëve, shqiptarë e gjermanë, kryetarit të këtij qyteti Peter Grab dhe ambasadorit të Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita.
Ministri Krasniqi, në fjalën e tij, po ashtu ka thënë se kjo shtatore i bën ndër të dy vendeve tona, Kosovës dhe Gjermanisë.
“Shtatorja e nobelistes sonë nderon secilin shqiptar, por prezenca e saj këtu është një nder i madh edhe për Augsburgun dhe qytetarët e tij. Unë besoj se kjo shtatore është edhe një arsye më shumë për thellimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe në radhe të parë ndërmjet dy popujve tanë”, tha ministri Krasniqi para të pranishmëve.
Iniciativa e ngritjes se kësaj shtatore ka qenë e familjes Seferi, që jeton në Augsburg dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Ministrit Krasniqi i është bërë edhe një pritje solemne nga kryetari i Augsburgut Peter Grab. Të dy palët kanë folur për format e bashkëpunimit në lëmin e kulturës dhe sportit. Ministri Krasniqi ka thënë se beson se në të ardhmen do të ketë edhe iniciativa të tjera, që do të thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Nga ana e tij, kryetari i Augsburgut ka ofruar përkrahjen për iniciativat e ndryshme si në kulturë dhe sport që do të ndërmerren në të ardhmen.
Gjatë ditës, ministrit Krasniqi në Augsburg i është bërë edhe një pritje nga shumë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Augsburg. Ministri ka premtuar se Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të angazhohet maksimalisht që mërgata shqiptare të ketë përkrahjen e duhur në të gjitha aspektet.