Kamerat zbulojnë itinerarin e grabitësve të argjendarisë në Kamëz

Itinerari i autorëve të grabitjes së argjendarisë në Kamëz, të ndodhur të shtunën, është zbuluar nga verifikimi i kamerave të sigurisë në zonë. Policia e Shtetit po vijon kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas burimeve, autorët janë larguar menjëherë pas grabitjes në drejtim të Zallherrit, duke lëvizur me motor dhe të maskuar gjatë gjithë veprimeve të fiksuara nga kamerat e sigurisë.
Në një moment gjatë arratisjes, ata dyshohet se kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar me motor, por më pas kanë vijuar lëvizjen pa u ndalur.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikime, por deri tani nuk ka identifikim zyrtar të autorëve.
Hetuesit po analizojnë provat e sekuestruara në vendngjarje, ku rezulton se nga argjendaria janë marrë sende me vlerë ari dhe argjendi.
Në lidhje me ngjarjen është marrë në pyetje edhe punonjësja e argjendarisë, e cila ka deklaruar se në momentin e grabitjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe nuk ka pasur kontakt me autorët.