Kamionët helmues, lirohen tre shoferët bullgarë
KUKËS- Kamionët bullgarë me lëndë të rrezikshme, që u vendosën në afërsi të kufirit me Shqipërinë, në fshatin Brezne të Opojës janë kthyer mbrapshtnga kanë ardhur. Ndërkohë që janë liruar nga burgu tre shoferët bullgarë,shtetasit bullgarë Dimitrov Dimitar Yanchev, 38-vjeç, Ivanov Krastyo Gospodinov, 56-vjeç, dhe Dimov DinoKolev, 47-vjeç. Ata u akuzuan për falsifikim të dokumenteve, pasi në dokumentacionin shoqërues e kishin të shënuar se transportonin vaj hidraulik, por pas kontrollit ka rezultuar të ishte vaj disulfurik dhe për këtë u dënuan me gjobë. Ndërsa për pronarin e subjektit tregtar ku ishte destinuar ngarkesa, me qendër në Mamushë të Prizrenit vazhdon ndjekja penale.
***
Pas dhjetë ditë qëndrimi në Kosovë dhe pesë ditë qëndrimi në afërsi të kufirit me Shqipërinë, tre kamionët që bartnin lëndë të rrezikshme janë kthyer mbrapsht nga vendi ku ishin stacionuar. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, ka bërë të ditur se tre kamionët e ngarkuar me mbeturina nafte me përqindje të lartë të SO2-shit janë përcjellë nën vëzhgimin e forcave policore të Kosovës, derisa kanë kaluar kufirin në Hanin e Elezit për në Bllacë të Maqedonisë, nga ku kishin hyrë dhjetë ditë më parë. Përshpejtimi i procedurave për largimin e tre kamionëve me mbetje të rrezikshme ka ardhur si pasojë e presionit të banorëve të zonës së Opojës, por edhe të fshatrave në kufirin me Shqipërinë. Të martën e kaluar, kufiri Shqipëri-Kosovë u bllokua për gjatë gjithë ditës, pasi gjatë kontrollit në terminalin doganor të Vermicës të tre kamionëve, janë helmuar dy punonjës policie dhe një doganier, ku pas analizave ka rezultuar se lënda e rrezikshme ishte vaj disulfurik me përqindje të lartë të squfurit me mbi 20 për qind. Pas dekontaminimit të terminalit të Vermicës, kufiri Shqipëri-Kosovë u hap, ndërkohë që kamionët e ngarkuar u zhvendosën në afërsi të vijës kufitare Shqipëri-Kosovë në mes të fshatit Brezne të komunës së Dragashit dhe fshatit Zhur të Prizrenit, në afërsi të një prej depove të mbeturinave urbane të qytetit të Prizrenit.
***
Por prania e SO2 në ajër u bë një shqetësim për banorët në të dy anët e kufirit. Sipas specialistëve, ai kontaminoi ajrin në një rreze ajrore rreth pesë kilometra, duke u bërë shqetësim për banorët e zonave kufitare që shtrihen në të dy anët e kufirit si në Shqipëri e Kosovë. Banorët e fshatrave në Kosovë nuk i kanë lëshuar bagëtitë në kullotë nga frika e helmimit të bagëtive, por shumë prej tyre nuk kanë dalë edhe vetë jashtë banesave. Shqetësim kanë shprehur edhe banorët e fshatrave shqiptare. Sipas këtyre banorëve, era e rëndë vazhdon të jetë e pranishme, ku temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e saj. Banorët e fshatrave të Shqipërisë kanë stanet dhe kullotat në afërsi të kufirit me Kosovën.
B.Shala