Ministri Gjana: Rihodhëm në treg vajin e bllokuar
Vaji i bllokuar disa ditë më parë pasi dyshohej se ishte i përzier me vaj makine, të dëmshëm për shëndetin e njeriut është rihedhur sërish në treg. Në një konferencë për shtyp, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana është shprehur se vendimi është marrë pas ardhjes së analizës nga Italia, ku rezultoi se vaji ishte brenda normave të lejuara. Sipas tij “çdo gjë që hyn në tregun shqiptar analizohet dhe vetëm brenda dy muajve të fundit janë bërë 14 mijë analiza. “Kompania që importonte vajin nga Greqia në Korçë është me dokumentacion të rregullt dhe prandaj ne vendosëm zhbllokimin e saj dhe hedhjen në treg të vajit që ajo tregtonte” – tha Gjana. Sipas tij situata e vajit është dramatizuar nga mediat dhe analistët.
Precedenca
Para disa ditësh media greke ka bërë të ditur se janë dy ngarkesa të dyshimta që janë nisur për në Shqipëri, përkatësisht në datat 27 prill dhe 2 maj të këtij viti.
Tonelata me vaj luledielli dhe ngarkesa të firmave të ndryshme mësohet se kanë hyrë në mënyrë të vazhdueshme në vendin tonë, madje edhe nga firma greke “Manos S.A.”. Kjo e fundit, sipas burimeve policore ka sjellë nëpërmjet firmave shqiptare sasi të shumta vaji luledielli, ndërkohë që dy ngarkesat e fundit të kësaj firme mbajnë datën, njëra në 27 prill 2008 dhe tjetra 2 maj 2008. Përsa i përket ngarkesave të lartpërmendura, ato kanë hyrë transit, nëpërmjet doganës së Kapshticës, për t’u zhdoganuar në doganën e Tiranës. Sasia në fjalë ka qenë rreth 50 tonë.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur gjithashtu se vaji grek i firmës “Manos S.A.”, i bllokuar pas skandalit në shtetin fqinj, është vaj i papërpunuar. Në vendin tonë, sipas policisë së Korçës ka hyrë vetëm vaj i përpunuar në rafineri, ndërkohë që, sipas të dhënave nga burime konfidenciale, mësohet se policia ka marrë edhe listën e firmave që kanë kryer importin e vajit nga kjo pikë doganore për të verifikuar më tej, llojin dhe cilësinë e vajit që është shpërndarë në tregun vendas. Edhe pse janë disa firma vendase që kanë marrë vaj nga firma greke, policia nuk i ka deklaruar emrat e tyre, por konfirmon se janë disa të tilla me shtrirje në rang kombëtar dhe se firma nga Korça “Dessina Ballkan” nuk është kontraktorja e vetme. Duket se misteri mbetet tek dy ngarkesat që janë bërë me dije dhe nga mediat greke të datës 27 prill dhe 2 maj, të cilat janë konfirmuar dhe nga policia e Korçës se kanë hyrë transit nëpërmjet kësaj pike kalimi.
Ajo që është më misterioze në këtë histori, është fakti se nuk dihet se cilat firma shqiptare e kanë sjellë atë në vend, ndërsa tregu i destinuar i shitjes për ngarkesat e fundit ka qenë metropoli shqiptar. Kështu pra, në listën e bashkëpunimit mes firmës greke “Manos S.A.” nuk është vetëm firma nga Korça “Dessina Ballkan” ajo që ka marrë në mënyrë të vazhdueshme, prej gati 6 muajsh, vaj nga firma greke e akuzuar për shitjen në treg të vajit ushqimor i përzierë me lubrifikantë, elementët e dëmshëm të të cilit rrezikojnë jetën e konsumatorit. Policia e Korçës, nga ana e saj, siguron se vaji i importuar nga firma “Dessina Ballkan” ka qenë vaj i përpunuar dhe sipas analizave, ka rezultuar në të gjitha rastet i pastër dhe pa përzierës, brenda të gjitha parametrave të duhura për konsum të gjerë. Ky përfundim vjen nga Inspektorati i Bujqësisë dhe Ushqimit, që ka kryer analizat për të gjitha ngarkesat me vaj që kanë hyrë nga kjo pikë doganore nga ana e firmës në fjalë, por dhe për të tjera, kur zhdoganimet janë kryer në doganën e Kapshticës. Nga verifikimet e dokumentacionit që ka bërë në doganë policia, në asnjë rast nuk është regjistruar nga ana e specialistëve që ushtrojnë kontroll për cilësinë e këtij produkti ushqimor, ndonjë problem për konsumimin e tij.
BE: Vaji nuk është i rrezikshëm
Pesë vende europiane kanë hapur gjuetinë për të identifikuar dhe bllokuar rreth 40 mijë tonë vaj me origjinë nga Ukraina, që konsiderohet se përmban një nivel të lartë të vajit lubrifikant. Deri më 1 maj, shumica dërrmuese e këtij vaji është tërhequr nga tregu, ndërsa një zbulim i fundit në Greqi, risolli në vëmendjen e medias problemin.
Agjencia deklaroi se vaji në fjalë nuk përbën shqetësim për shëndetin publik, por ai duhet të tërhiqet nga tregu për shkak se nuk plotëson standardet e kërkuara. “Konsumimi i vajit të lulediellit të kontaminuar nuk pritet të sjellë probleme shëndetësore”,- deklaroi agjencia. Ukraina ka ndërprerë eksportet e vajit të lulediellit, pak para zbulimit të nivelit të mbetjeve minerare të larta. “Masat që ne po ndërmarrim janë parandaluese”, vijoi deklarata e djeshme e agjencisë. Dyshohet se kontaminimi i një sasie vaji nga Ukraina ka qenë aksidental.
Në Greqi, kompanitë që kanë dy markat kryesore të vajit të lulediellit, “Elais” dhe “Minerva”, tërhoqën produktet e tyre nga supermarketet, me qëllim verifikimin e plotë për të garantuar siguri, njoftoi agjencia e lajmeve “21food.com”. Në Greqi janë bllokuar deri tani 1200 tonë vaj, ndërsa janë në proces bllokimi edhe 835 tonë të tjera, sipas një njoftimi të agjencisë greke të Sigurisë Ushqimore. Në të gjitha rastet, rreziku për shëndetin është minimal.
Media dhe popullata janë shumë të ndjeshme ndaj lajmeve të kësaj natyre. Në vitet ’80, një sasi vaji që përmbante anilinë, një ekstrakt i nxjerrë nga qymyri, u akuzua si shkaktar për vdekjen e qindra njerëzve.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të vajit të parafinuar të lulediellit në Europë. Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u importuan 6.2 milionë euro vaj i parafinuar nga ky vend.