E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë kundër deklaratave pro greke të Kserës e Bollanos

Deklaratat pro greke për Vorio Epir të bërë nga prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, kanë ngritur në protesta një grup të rinjsh nga Tepelena, nga fshati Toç i këtij qyteti. Kanë qenë rreth 70 njerëz të cilët kanë bërë një protestë paqësore ditën e sotme dhe kanë kërkuar nga qeveria që të marri masa ndaj këtyre dy personave. “Shqipëria është e shqiptarëve, jo e grekëve”, “Spiro Ksera të largohet nga posti që drejton” janë disa nga parrullat që ata mbanin në duar. Protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Kserës dhe Bollanos, si dhe ndjekjen penale të tyre. Banorët e fshatit Toc kanë dalë edhe në rrugë duke bllokuar për disa minuta rrugën nacionale Fier- Tepelenë.

Bollano ndodhet në gjyq pasi akuzohet për heqjen e tabelave në gjuhën Shqipe nga rrugët e Himarës. Ndërkohë që akuzohet nga të gjithë edhe për frymën progreke që po fut në Himarë.

Avokat Spartak Ngjela ka kërkuar me ngulm shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ngjela ka akuzuar këtë të fundit se ka pasur interes për të organizuar protesta në Himarë, duke i kërkuar në mënyrë publike Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që t'i kërkojë Kryeprokurores të nisë proces penal ndaj tij. "Ai ka ndaluar në mënyrë arbitrare të gjitha investimet ne Himarë. Shpërdoron në mënyrë abuzive e të padrejtë të gjitha fondet e mbledhura, në mënyrë që të mos lejojë asnjë zhvillim në Himarë. E kam investiguar vetë. Derisa më në fund, para disa ditësh merr pjesë në një demonstratë, ku thërret: "Jashtë shqiptarët nga Himara". Që do të thotë nga Shqipëria"- eshte shprehur Ngjela.

Nuk e di se ku e gjen forcën, që kërcënon dhe fyen shqiptarët në vendin e vet. Nuk e di se si mund të dëgjohet më tej një njeri si ky, që mund të mashtrojë shqiptarët, madje t'i poshtërojë në vendin e vet, pasi mendon se paska me naivitet përkrahjen e një shteti më të fuqishëm se ne. Madje na thërret edhe administratore për ndihmë",- tha Ngjela para nje muaji në Kuvend. Pikërisht për këtë arsye, ai ka kërkuar që Kryetari i Bashkisë së Himarës të pushohet nga puna dhe t'i dërgohet akuzës për ta çuar në Gjykatë. "Z.President i Republikës ju duhet menjëherë t'i kërkoni Prokurorisë së Përgjithshme, përkatësisht Prokurores, të nisë proces penal kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës sepse ka dhunuar Kushtetutën dhe ka fyer popullin shqiptar",- tha Ngjela. Ai ka theksuar se askush nuk mund të tallet me simbolet e vendit. "Jo zotëri, ta dini mirë, edhe Bollano, edhe partia që ka këtu, ta dinë mirë se me simbolet tona nuk lejojmë njeri që të tallet",- tha Ngjela. Duke e cilësuar Bollanon si "një bandit që fyen simbolet kombëtare", ai i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të vërë në vend nderin e shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›