Kampi i riatdhesimit
Dikur shërbente për ushtarët e Armatës së ish Jugosllavisë.
Pas vitit 1999, atë e shfrytëzuan ushtarët francezë.
E tash pritet që të shërbejë për strehimin e të riatdhesuarve nga shtetet perëndimore.
Këtë fat kanë disa objekte shtetërore në lagjen “Bajr” të Mitrovicës.
Pas luftës së fundit në vend, fillimisht ato u rinovuan dhe u bënë kamp për ushtarët e KFOR-it. Pas dhjetë vitesh qëndrimi në to të ushtarëve francezë të KFOR-it, të cilët e emëruan me emrin “Belvedere”, më në fund para tre muajsh ato objekte u liruan.
Francezët e lanë kampin ashtu siç ishte. Tash me të duhet të merret komuna e Mitrovicës. Por, fati i këtyre objekteve duket se është i destinuar vetëm për të strehuar personat e përkohshëm që vinë e shkojnë.
Së shpejti aty do të vendosen banorë të rinj. Të riatdhesuarit dhe familjet me raste sociale dhe që nuk e kanë të pazgjidhur problemin e strehimit.
Kjo ka gjasa të ndodhë para se moti të nisë të ftohet. Kështu të paktën thotë Kastriot Jashari, drejtor për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës. “Shpresojmë se banorët e parë do të vendosen aty para dimrit”, thotë Jashari për Express. Megjithëkëtë, nëse francezët këto objekte i lanë në gjendje të rregullt, hajnat u dukën andejpari.
Tash për tash aty janë duke u rregulluar kabllot e rrymës, të cilat u vodhën nga hajnat.
Komuna kishte angazhuar një kompani të sigurimeve për t’i ruajtur objektet, por hajnia nuk ishte ndalur. Tash për sigurinë e këtij kampi përkujdeset policia e Kosovës ditë e natë.
E këtë do ta bëjnë derisa ta kërkojë nevoja.
“Ne do të përkujdesemi për sigurinë e atij kampi derisa të ketë nevojë”, thotë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës, për Express.
Ndërkohë, Jashari, zyrtari komunal, sqaron se kampi që francezët e kanë liruar e që është aset i komunës, ka kapacitet për njëmijë persona. “Rreth një mijë ushtarë francezë kanë qenë aty për dhjetë vjet e as ne nuk mundemi ta tejkalojmë atë shifër’, thotë ai.
Kontejnerët nga metali që pritet t’i strehojë të riatdhesuarit dhe ata që janë në gjendje të rëndë sociale, janë të vendosur në një hapësirë prej 21 hektarësh. Por, vetëm përkohësisht.“Aty mund të strehohen të riatdhesuarit për një afat të shkurtër, derisa të gjendet zgjidhje për ta”, thotë Jashari për Express.
Francezet në këtë kamp kishin investuar më shumë se dhjetë milionë euro, ndërsa tash pas amortizimit të tyre, sipas zyrtarëve të komunës, vlera e investimeve në këtë kamp del të jetë deri në pesë milionë euro.
E të riatdhesuar ka shumë në komunën e Mitrovicës. Kastriot Jashari tregon se Mitrovica është vendi i dytë në Kosovë për nga numri i të riatdhesuarve. Sipas tij, vetëm për nëntë muaj janë riatdhesuar 726 persona. “Këto janë shifra zyrtare, por ka edhe të tillë që nuk lajmërohen fare”, thotë Jashari për Express.
Ky kamp është një ndihmë e madhe për komunën e Mitrovicës pasi në këtë qytet nuk dihet saktë as numri i rasteve sociale e as i atyre që nuk kanë të zgjidhur problemin e banimit. Sipas Kastriot Jasharit, krejt kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave që janë në veri. Mitrovica, sipas Jasharit, aktualisht i ka katër strehimore që i strehon rreth 70 familje me 300 anëtarë. Dy strehimore janë në Stan –Tërg, në lagjen Bair dhe një në qytet.
Është folur se kampi do të lihet për nevojat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, mirëpo Jashari thotë se njëherë për njëherë kjo ide nuk është diskutuar e për më vonë nuk dihet. Por, zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, tha se njësia speciale nuk ka gjasa të vendoset aty sepse baza e saj është në “Shipol”, lagje në periferi të Mitrovicës.
Sido që të jetë, kampi “Belvedere” është një ndihmesë e madhe për komunën në mënyrë që, edhe pse për periudha të shkurtra, do t’ua lehtësojë jetën atyre që kthehen dhe njerëzve në gjendje që kanë probleme me strehim.