BSH, bankat zbusin kushtet e kredisë për individë
Sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, vërehet se bankat e nivelit të dytë kanë lehtësuar disi kushtet për kreditë për individët. Në vrojtimin e tremujorit të dytë të vitit 2010, ekspertët e bankave shprehen se nuk kanë shtrënguar më tej standardet për kreditë dhënë individëve krahasuar me një tremujor më parë. Përqindja neto e bankave që raportojnë për lehtësim të standardeve, u rrit në 1.5 për qind krahasuar me -26.5 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm. Standardet e kredidhënies u lehtësuan disi si për kredinë konsumatore, si dhe për atë për blerje banese. Balanca neto e standardeve për kredi konsumatore shënoi +2.8 për qind, ndërsa balanca neto për kredinë për blerje banese +3.2 për qind. Në përgjithësi të gjithë faktorët e marrë në konsideratë kanë ulur kontributin në shtrëngimin e standardeve të kredisë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2010. Konkurrenca në sistemin bankar dhe përmirësimi i gjendjes së likuiditetit kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve për kreditë dhënë individëve. Gjendja financiare e individëve si dhe situata e kredive me probleme vijojnë të jenë edhe gjatë këtij tremujori, faktorët me ndikim më të madh në shtrëngimin e standardeve të kredisë.