Kampion në shikueshmëri

Finalja e Ligës së Kampionëve për herë të parë ka kaluar NFL Super Bowl-in si ngjarja më e shikuar sportive e vitit, sipas një raporti. Finalja e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit në maj të vitit të kaluar zgjoi audiencë prej 109 milionë shikuesish.
Ndërsa përballja e futbollit amerikan, mes Pittsburgh Steelers dhe Arizona Cardinals u përcoll nga tre milionë më pak. Raporti vjetor nga Kompania Initiative Futures Sports and Entertainment ka zbuluar se të dyja garat vazhdojnë të jenë në rritje.
Gara e fundit e sezonit në Formula 1 në Abu Dhabi ishte ngjarja e tretë më e shikuar me mesatare prej 54 milionë shikuesish, ndërsa finalja në 100 metra nga Kampionati botëror në atletikë – duke përfshirë rekordin botëror nga Usain Bolt - ishte e katërta me 33 milionë.
Viti 2009 nuk solli Lojëra olimpike verore, e as një Kampionat botëror dhe ofroi mundësinë e matjes së dy ngjarjeve më të mëdha vjetore sportive. Derisa audienca e Super Bowl ishte kryesisht vendore, ndeshja kryesore e klubeve evropiane të futbollit përcillet më tepër nga audienca e gjerë globale.
“Liga e Kampionëve ka qenë në gjendje të shtrihet edhe në regjionin e Azisë Pacifike”, tha Kevin Alavay, drejtor i raportit. “Ndërsa Super Bowl ka siguruar marrëveshje transmetimi në një numër të tregjeve të rëndësishme evropiane si në Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, por audienca e tyre dhe fama në Azinë Pacifike është larg prapa Ligës së Kampionëve”, shtoi ai.
Raporti, në vitin e tij të shtatë të publikimit, është i bazuar në të dhënat zyrtare nga organet shtetërore dhe llogarit “përcjelljet nga shtëpia”. Alavay shtoi se zgjerimi i vazhdueshëm i Super Bowl dhe finales së Ligës së Kampionëve ishte jashtëzakonisht impresionues në kohën e ndarjes së audiencës televizive që është shkaktuar nga digjitalizimi.