E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampioni olimpik Usain Bolt kerkon karriere ne futboll

Kampioni i botës dhe olimpik, Usain Bolt, pasi ka treguar shpejtësinë e tij në dy garat e fituara në 100 metra, ka përsëritur suksesin edhe në garën e parë sezonale të  200 metrave, por xhamajkani duket i fiksuar pas një karriere në futboll dhe jo me një klub dosido, por Manchester United.

"Përfundimisht mendoj se do të provoj futbollin, pasi të tërhiqem nga atletika, sepse e kam ndjekur futbollin për vite me rradhë. Po e shoh vërtetë me prioritet këtë mundësi dhe mendoj se jam aq i mirë sa për të luajtur për Manchester United, sepse jam i shpejtë dhe kam aftësi” deklaroi Bolt.

Bolt e ka nisur sezonin me fitoren në 100 metra, me kohën 9.91 përballë bashkëpatriotit, Asafa Pouell, në Rome, ndërsa në garën e 200 metrave në Diamond League në Norvegji xhamajkani ka kronometruar kohën 19.86 sekonda- koha më e shpejtë e vitit, edhe pse nën shi.

“Nuk do të thosha se më ndikoi, më duket sikur gjithnjë arrij të garoj mirë në shi. Në  Manchester binte shi, në Lausanne po ashtu, garova nën shi në Ostrava, kështu që duket se konkuroj mirë në shi. Jam më i përqendruar të kërkoj gjithnjë maksimumin dhe nuk ka të bëjë me kohën. Çështja është si garon dhe si përqednrohesh në atë që do," u shpreh pas garës Bolt. 24-vjeçari ka vendosur rekordin botëror prej 19.19 sekondash kur triumfoi në 200 metra në kampionatin botëror të Berlinit 2009.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›