E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athine prezantohet ne parlament tjeter program kursimesh

Mes tensioneve sociale në rritje  dhe kundërshtimeve të mëdha nga opozita qeveria e Papandreut dorëzoi për aprovim në parlament një program kursimesh shtesë prej 28 miliardë eurosh deri në vitin 2015. Pas debatesh të ashpra dhe të gjata, brenda  grupin parlamentar por edhe në Këshillin e Ministrave, qeveria greke i paraqiti parlamentit për aprovim programin afatmesëm të stabilizimit financiar të ekonomisë për periudhën 2012-2015.

Programi përmban kursime shtesë prej 28 miliardë eurosh me masa të detajuara si reduktimi i sektorit publik dhe i shpenzimeve publike, i shpenzimeve për mbrojtjen, rritje taksash dhe TVSh-së për mallra të konsumit të gjerë por edhe sistem të ri pagash të nënpunësve shtetërorë të unifikuar me sektorin privat. Gjithashtu 50 miliardë euro privatizime të pronës shtetërore, nga të cilat 15 miliardë brenda vitit 2011.

Programi, aprovimin e të cilit Papandreu e cilësoi “obligim kombëtar” për shpëtimin e vendit nga falimentimi, nuk është mirëpritur nga opozita sindikatat e mëdha në vend dhe lëvizja e të revoltuarve që ka hyrë në ditën e saj të 16-të. Sindikatat kanë shpallur grevë të përgjithshme për datën 15 qershor.

Votimi i programit do t'i sigurojë Greqisë një ndihmë shtesë nga troika që mund të variojë nga 90 deri në 120 miliardë euro në një kohë kur vlersohet se ristrukturimi i borxhit nuk do të jetë një hap i favorshëm për Greqinë. Shefi i Bankës Qendrore Evropiane Jean-Claude Trichet, refuzoi në Frankfurt çdo lloj shtyrje borxhi apo pjesëmarrjeje të bankave private, çka do te rriste dhe me interesat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›