Kamza City, aty ku mungon vetëm rruga Lady Gaga (FOTO)
Nëse Faik Konica do të ishte gjallë e do lexonte emrin e vet në një nga rrugët e Kamzës në Tiranë, kush e di me çshprehje do ta zëvendësonte atë të famshmen e tij: Shqipëri të kam dh nuk të mora vesh asnjëherë. Në një ecje vetëm disa dhjetëra metra në këtë qytet të ri e modern të Shqipërisë, siç e ka quajtur vetë kryetari i saj i bashkisë, shikimin mund ta përplasësh me shumë emra rrugësh, të cilët të çojnë menjëherë në çdo qytet të botës që ke ëndërruar. Nuk e dimë se në çmënyrë banorët kësaj zone, të cilët në pjesën më të madhe të tyre janë veriorë, u tregojnë të afërmve që u vijnë për vizitë vendndodhjen e banesës Sapo vë këmbën e parë në Kamëz, mirëseardhjen ta uron Bulevardi Blu, i cili shtrihet gjatë gjithë gjatësisë së këtij qyteti, në të dyja krahët e të cilit pritet nga emra rrugësh nga më të çuditshmit. Emrat e qyteteve më të mëdha të botës, personaliteteve të huaja (e diku mund të gjesh edhe ndonjë rrugë që mban emër shqiptar). Aty mund të gjesh rrugët: Amerika, Dubai, Australia, Roma, Stockholm, Montekarlo, Gjermania, por mund të gjesh edhe rrugën Shkupi dhe Monarkia Shqiptare. Nuk mungojnë edhe emra të krerëve të shteteve të mëdha, pasi aty mund të gjejmë rrugën Nicolas Sarcozy e atë Silvio Berluskoni e mes tyre Bashkia e këtij qyteti nuk ka harruar të vendosë edhe një emër shqiptar, Faik Konicën. Përveç Bulevardit Blu rruga tjetër me gjatësi më të madhe është rruga Berisha, e cila në gjatësinë e saj kryqëzohet me rrugën OSBE apo Kosova. Të gjithë këtë panorame e kemi fiksuar në fotografi dhe po ju paraqesim një album me rrugët e Kamzës
Rruga për në Kamëz
A keni kaluar ndonjëherë në Kamzë? Nëse nuk keni kaluar, kaloni. Emrat e rrugëve ju çojnë larg, të paktën për një moment mund ta shihni veten në Nju York, ndërkohë poshtë tabelës që është shkruar ky emër, gjendet një grua e cila shet në mes të baltës e të pluhurit perime, bie në sy preshi, gjysmë metra i gjatë dhe ajo grua që rri e mbledhur skrupull pas një kandari të vjetër që peshon me gurë. Ndoshta tregtarja ambulante nuk e di që gjendet në një rrugë që mban për emër një kryeqytet të botës. Ose ndoshta i ka shkuar mendja se shitorja dhe peshorja e saj precize janë gjetja e duhur për ti kujtuar Nju Jorkut se tashmë Shqipëria po zhvillohet me hapa të mëdhenj ekonomikisht. Ky qytet i ri, shumë shpejt mund të kthehet në një atraksion turistik për shqiptarët, por edhe për turistët e huaj. Askund tjetër nuk mund të gjejnë personalitete e vende të zhvilluara bashkë!
Mungon rruga Lady Gaga
Një dreq e di se përse është menduar të vendoset kjo turli emrash në qytet. Mos ndoshta Kamza do që të futet në Bashkimin Evropian përpara Shqipërisë!? Imagjinoni pak njeriun e asaj lagjeje që mundohet ti përshkruajë vendodhjen e shtëpisë mysafirit të largët. E nuk do ishte çudi që një ditë një nga ato rrugët që mbijnë përditë në këtë fushë të vjetër të Tiranës të shohim ndonjë emër, si psh: rruga Lady Gaga.
Kamza Kamza Kamza
Kamza është një qytet në veriperëndim të Tiranës, me afërsisht 90 000 banorë (2009). Në këtë vend në vitin 1952 u hap Universiteti Bujqësor i Kamzës. Emri Kamëz lindi rreth vitit 1430. Dëshmitë e arritura deri në ditët tona pohojnë se në tokat e Kamzës kishte shumë ullinj të egër. Rreth trungut mbinin filiza që quheshin kamza ulliri dhe për këtë arsye tokat midis lumit të Tiranës dhe Tërkuzës u quajtën Kamza. Vetëm 7 kilometra nga kryeqyteti, të shfaqet një gjigant vilash e investimesh pafund që mban emrin Kamëz, sa e re dhe bashkohore, aq dhe e rëndësishme për vetë pozicionin strategjik pranë kryeqytetit Tiranë, aeroportit të Rinasit dhe portit të Durrësit. Një ndër qytetet më të reja të Shqipërisë, Bashkia Kamëz e dyta më e madhe në Qarkun e Tiranës, dhe e gjashta në Shqipëri. Ndryshimet demokratike lejuan një migrim të pakontrolluar të qytetarëve nga i gjithë vendi drejt qyteteve kryesore. Ky fenomen ndodhi edhe aty, ku shumë banorë nga veriu dhe verilindja e Shqipërisë u zhvendosën drejt zonës së Kamzës. /Entela Resuli, shekulli

