E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kamzë- Berisha shfaqet me kapele me numrin 1: Si do i rrisim pagat dhe pensionet? Paratë që marrim nga qytetarët, do ua kthejmë atyre

Kreu i PD-së, Sali Berisha, zhvilloi të premten pasdite një takim elektoral në Kamzë, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Berisha, në fjalën e tij deklaroi se 11 maji do të sjellë një ndryshim të madh jo vetëm për Kamzën, por edhe për të gjithë Shqipërinë.

“Ne vijmë para jush për të parashtruar programin tonë elektoral. Për të parashtruar tek ju alternativën me të cilën ne jemi të betuar dhe të vendosur t’i japim përgjigjen problemeve të rënda që përjeton sot Kamza, problemeve të rënda që përjeton sot Shqipëria. Probleme e kanë bërë jo vetëm Kamzën, por të gjithë Shqipërinë një vend të pa jetueshëm. E kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë një vend nga i cili shqiptarët vetëm largohen. E kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë vendin në të cilin nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë banorë të Kamzës dhe gjithë Shqipërisë.”, tha Berisha.

Sipas tij, qytetarët morën rrugët sepse nuk jetonin dot në Kamzë, nuk jetonin dot në Tiranë, nuk jetonin dot në Shqipëri “sepse ky regjim, Shqipërinë, Kamzën që rritej në popullatë nga viti në vit, e bëri Shqipërinë dhe Kamzën që nuk jetohej më.”

“Nuk ikën shqiptarët se donin të iknin, por ikën se ilaçet nuk i blinin dot në vendin e tyre, ikën se kreditë nuk i paguanin dot në vendin e tyre, ikën se shtëpitë nuk i blinin dot në vendin e tyre. Dhe, së fundmi, ikën sepse qytetarët e Kamzës, qytetarët e Shqipërisë, që në vitin 2013 paguheshin më shumë se të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit, gjatë këtyre 12 viteve ranë poshtë e më poshtë. Gjatë këtyre 12 viteve u varfëruan çdo vit e më shumë. Gjatë këtyre 12 viteve, çmimet e mallrave, ushqimeve jetike u dyfishuan. E merrnin bukën me 400-500 lekë në vitin 2013, e marrin sot me 900-1000 lekë. E merrnin mishin me 7 mijë lekë, e marrin sot me 18 mijë lekë. I merrnin zarzavatet 4 herë më lirë se sot. Çfarë ndodhi pra? Ndodhi që aq sa blinin me pensionin e vitit 2013, nuk blinin as me trefishin e tij në vitin 2024.”, tha Berisha.

Sipas tij, mallrat bëheshin mollë e ndaluar, apartamentet mollë e ndaluar për të rinjtë.

“Vendet e punës rrënohen dhe shkatërrohen çdo ditë. Kjo qeveri u vërsul mbi taksa. Kjo qeveria injoroi, mohoi, poshtëroi pensionistin e Shqipërisë. Një pensionist që në vitin 2013 merrte një pension mesatar 143 mijë lekë, merrte më shumë se secili moshatar i tij në vendet përreth. Po sot si është gjendja? Sot pensionisti i Malit të Zi merr 450 euro, kurse pensionisti në Shqipëri merr 170 euro.  Pensionisti në Maqedoni merr 405 euro. Pensionisti në Serbi merr 430 euro. Pensionisti në Kosovë merr 190 euro. Në Shqipëri merr 170 euro mesatarja. Kaq marrin vetëm 43% e pensionistëve, 57% e tyre marrin pension të pjesshëm.”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u zotua në fjalën e tij se në 100 ditët e para nuk do ketë pensionist në Shqipëri që nuk do marrë 200 euro.

“Dhe më lejoni pak t’i them atij burracakut 2 metra që fshihet dhe nuk del dot, pasi e keni kapur me presh në dorë duke vjedhur, nuk del dot të ballafaqohet para jush në televizion apo në skenë.

Çfarë thotë? Thotë se po ta rrisim pensionin 200 euro, biem në humnerë. Kurse dje deklaronte se do ta bëjmë në vitin 2030. Ka deklaratë më të papërgjegjshme, më cinike? Në vitin 2005 ne premtuam dyfishimin e rrogave dhe u them një gjë, ai ka qenë premtimi më i vështirë i jetës sime sepse nuk di një administratë tjetër që të ketë premtuar dyfishim rrogash në atë kohë, por e mbajtëm. I them cilido shqiptar, gjej një mësues, një infermiere, një mjek, një punonjës që të thotë se rroga e tij nuk u dyfishua gjatë viteve 2006-2013. Pa përjashtim të gjithë. Deklaruam se do dyfishojmë pensionet e ulëta. Pensioni ishte 36 euro, çdo pension i ulët u bë 83 euro. Deklaruam se do rrisim pensionet e mesme dhe të larta. Çdo pension i mesëm u rrit 60%. Çdo pension i lartë u rrit 40%. Si ndodhi? Si u bë kjo? Fare e thjeshtë. Paratë ua kthyem shqiptarëve. Si do i rrisim tani? Përsëri me të njëjtin mekanizëm, paratë do ua kthejmë ju. Si do i rrisim pensionet dhe rrogat, që nuk do ketë rrogë nën 500 euro, rroga mesatare do jetë 1200 euro, rroga e mësuesit do bëhet 1500 euro, si do i rrisim? Do u kthejmë paratë që marrim prej jush do i kthejmë tek ju.”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›