E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manastirliu: Deri në 2026-ën, 1 mijë shkolla do të kenë laboratorë inteligjentë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me të rinj dhe reja që u zhvillua në Tiranë në kuadër të platformës “Vizioni i të rinjve Shqipëria 2030”,  e komentoi këtë takim si një eksperiencë shumë e mirë, për shkëmbimin e ideve dhe projekteve novatore në fushën e startupe-ve.

Sipas saj, këto janë shembuj konkret të asaj që qeveria po bën në shërbim të të rinjve, studentëve.

“Ju jeni dëshmia e politikave dhe programeve duke qenë të parët në përthithjen e mbështetjes në fushën e inovacionit, teknologjisë apo investimeve në sistemin arsimor dhe politikave të punësimit për të rinjtë”, tha ajo.

Duke u ndalur tek disa nga politikat mbështetëse, Manastirliu theksoi se, ato kanë ndikuar në përmirësimin e sistemit arsimor dhe në ofrimin e mundësive të barabarta për të rinjtë dhe studentët dhe duke i përgatitur ata për të ardhmen dhe sfidat me të cilat përballen sot të rinjtë në një ekonomi që zhvillohet.

Ministrja informoi se janë 450 shkolla ku është investuar në përmirësimin e infrastrukturës me laboratorë dhe standarde bashkëkohore, ndërsa numri i laboratorëve ka arritur në 340 dhe brenda vitit 2026, një mijë shkolla do të kenë laboratorët inteligjentë për të mbështetur zhvillimin e teknologjisë.

“Sot 35 mijë nxënës të klasave të para të dyta dhe të treta janë pjesë e programit digjital apo kodimit, ndërsa 25 laboratorë të IA janë funksional dhe kanë bërë të mundur që të rinjtë të futen në rrugën e programimit. Ndërkohë mbështesim çdo vit 50 mijë studentë me bursa, tarifa të reduktura dhe procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve që po ecin me ritme të shpejta”, tha Manastirliu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›