Kancelari Friedrich Merz jep mesazhin e parë për administratën e Trump: “Qëndroni larg politikës gjermane”

Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz , gjatë një interviste për transmetuesin ZDF, i ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë të administratës së Presidentit të SHBA, Trump që të ndalojnë ndërhyrjen në politikën gjermane.
“Unë nuk ndërhyra në fushatën zgjedhore amerikane dhe nuk mora një qëndrim në favor të njërës apo tjetrës”, i tha Merz transmetuesit ZDF.
“Do të doja ta inkurajoja dhe ta nxisja qeverinë amerikane që t’ia lërë politikën e brendshme gjermane Gjermanisë dhe të qëndrojë larg këtyre konsideratave partiake.“
Merz, në intervistën e tij televizive, la të kuptohej se mund ta ngrejë këtë çështje në telefonatën e tij të planifikuar me Donald Trump të enjten.
I pyetur nëse do ta përballte presidentin amerikan me diplomaci apo me drejtësi, Merz tha se do t’i “përfaqësonte hapur” qëndrimet gjermane dhe evropiane.
“Së bashku, ne jemi edhe më të mëdhenj se SHBA-të”, tha Merz, duke folur për Bashkimin Evropian. “Numri i konsumatorëve këtu është më i madh se në Amerikë dhe Kanada së bashku. Pra, ne kemi diçka për të ofruar këtu. Mund të bëjmë diçka. Ne jemi të bashkuar, në një masë të madhe, dhe ky do të jetë mesazhi im për qeverinë amerikane.”
Merz tha se do të takohej personalisht me Trumpin për herë të parë në samitin e NATO-s në Hagë jo më vonë se qershori.
Merz, me qëllim koordinimin e një strategjie të përbashkët evropiane të mbrojtjes përpara këtij takimi, do të udhëtojë të mërkurën për në Paris dhe Varshavë për t’u takuar me homologët e tij.
/rtsh.al/