Nis Konklava në Vatikan, 133 kardinalë drejt zgjedhjes së Papës së ri

Procesi për zgjedhjen e Papës së 267-të të Kishës Katolike Romake ka nisur pasditen e sotme (7 maj) në Kapelën Sistine në Vatikan. 133 kardinalë votues janë izoluar nga bota e jashtme në një ceremoni që nisi me thirrjen latine “extra omnes”, duke shënuar fillimin zyrtar të konklavës. Gjatë këtij procesi, komunikimi i tyre me botën e jashtme ndalohet plotësisht, përfshirë edhe përdorimin e pajisjeve elektronike.
Në orët e para të mëngjesit, kardinalët morën pjesë në meshën e posaçme “Pro eligendo Romano Pontifice” në Bazilikën e Shën Pjetrit, si një akt solemn përpara votimit. Emrat që përmenden më shpesh për fronin papnor përfshijnë kardinalin italian Pietro Parolin, ish-kryeministër i Vatikanit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Papës Françesku, i cili shihet si figurë unifikuese mes krahëve progresistë dhe konservatorë të Kishës.
Në garë janë edhe Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, i njohur për qasjen e tij të matur dhe për dialogun ndër fetar, si dhe Kardinali filipinas Luis Tagle, një figurë e rëndësishme në Azinë katolike dhe mbështetës i linjës së Papës Françesku.
Tymi i parë nga oxhaku i Kapelës Sistine pritet të shihet rreth orës 19:00 të mbrëmjes së sotme. Nëse është i zi, kjo do të thotë se nuk është arritur marrëveshja. Për zgjedhjen e Papës së ri nevojiten 89 vota, një shumicë prej dy të tretash dhe nëse nuk arrihet sonte, procesi do të vazhdojë nesër me katër raunde të tjera votimi.
/rtsh.al/