E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarja Merkel: Po të vija në Greqi, do të më sulmonin?

BERLIN - E vetëdijshme për popullaritetin e saj të ulët në Greqi, për shkak të masave ekonomike të imponuara këtij vendi, kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë sot një test shumë të drejtpërdrejtë për të mësuar se deri ku shkon antipatia e grekëve për të.

Një dialog i këndshëm, por gjithsesi i pazakontë është zhvilluar mes kancelares gjermane dhe presidentit të sindikatave greke Janis Panagopulos, gjatë një takimi të zhvilluar sot në Berlin.

Kancelarja theksoi edhe një herë pikëpamjet e saj mbi politikën ekonomike që duhej të ndiqte Greqia për të dalë nga kriza, dhe u shpreh e hapur t’i dëgjojë pikëpamjet e kundërta, madje edhe gjatë një vizite të mundshme në Greqi. 

Në këtë moment ajo ka pyetur papritur presidentin e sindikatave greke, GSEE:
"Nëse do të vija në Greqi, çfarë mund të ndodhë? Do të më sulmonin?".
Ai nxitoi për ta siguruar, duke u përgjigjur: "Jo, këto i shkruan gazeta Bild".

Më parë, zoti Panagopulos i kishte raportuar kancelares mbi efektet dramatike të masave shtrënguese, duke shprehur pikëpamjen e tij mbi paaftësinë e politikës, si në aspektin e konkurrencës dhe qëndrueshmërisë së borxhit grek.

"Ne kemi nevojë që të ndalojë tkurrja e vazhdueshme të rrogave dhe pensioneve", tha zoti Panagopulos, sepse masat e çojnë ekonominë në "vdekje të ngadalshme".

Delegacioni i sindikatave, GSEE gjatë qëndrimit në Berlin, pati një seri takimesh me përfaqësues të qeverisë gjermane, të opozitës, me anëtarë të parlamentit gjerman, sindikalistë dhe përfaqësues të mediave gjermane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›