Kancelarja Merkel shpreh vlerësimet më të larta për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe vlerësime për reformat e jashtëzakonshme të qeverisë Berisha
- Kryeministri Berisha merr premtimin nga Kancelarja Merkel se Gjermania do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian brenda vitit 2008 dhe shumë shpejt Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjermani, u prit mesditën e sotme nga Kancelarja gjermane znj. Angela Merkel. Kryeministri Berisha u mireprit , me ceremoni zyrtare me nderimet më të larta ushtarake e protokollare, të cilat rezervohen për krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve mike.
Ne vijim, Kancelarja Merkel shtroi nje dreke per nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte, gjatë së cilës Kryeministri Berisha dhe kancelarja Merkel zhvilluan një bisedë të përzemërt e shume miqësore dhe diskutuan per ceshtje te rendesishme te bashkepunimit dypalesh mes Shqiperise dhe Gjermanise si dhe bashkepunimit ne kuader te integrimit evropian dhe euroatlantik.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kancelarja Angela Merkel i shprehu Kryeministrit Berisha urimet më të mira për progresin e arritur nga Shqipëria gjatë viteve të fundit në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kancelarja Merkel u shpreh se për të luftuar korrupsionin duhet një kurajë shumë e madhe, kurajë të cilën lidershipi i qeverisë shqiptare Kryeministri Berisha e ka pasur dhe po e tregon me vendosmëri të madhe.
Gjermania dhe vendet e Evropës nuk kanë më asnjë dyshim, u shpreh zonja Merkel për rezultatet e rëndësishme që ka arritur qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit, zhvillimit ekonomik dhe reformave të tjera të rëndësishme. ”Ne- tha kancelaria Merkel -vlerësojmë vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe lidershipit te e saj që bën të mundur arritjen e këtyre rezultateve”. “Në këtë kuadër-, vijoi Kancelarja Merkel-, i gjithë rajoni dhe Evropa ju janë mirënjohës për progresin që ju keni arritur në luftën kundër korrupsionit, pasi problemi i korrupsionit është një problem që nuk ekziston vetëm në Shqipëri”.
Kancelarja Merkel u shpreh se marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, si dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyera. Zonja Merkel shprehu gatishmëri për t’i intensifikuar më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
Kancelarja Angela Merkel shprehu kënaqësinë e veçantë që firma prestigjoze gjermane si Hochtief, Siemens, etj, kanë realizuar projekte shumë të rëndësishme në Shqipëri, të cilat kanë qenë një sukses i vërtetë.
Kancelarja shprehu gjithashtu vlerësime shumë pozitive për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe u shpreh se zhvillimi ekonomik ka arritur rezultate të shkëlqyera.
Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Kancelaren Merkel për ftesën, për pritjen e shkëlqyer që Kancelarja i rezervoi atij dhe delegacionit të qeverisë shqiptare, dhe për ndihmën shumë të çmuar që qeveria gjermane i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë për ndihmën gjermane pwr frymë në botë.
Kryeministri Berisha tha se për ketë shqiptarët i shprehin mirënjohjen më te thellë Kancelares Merkel, shtetit gjerman, qeverisë dhe taksapaguesve gjerman. Një ndihmë kjo e cila ka arritur në mbi 700 milionë euro gjatë gjithë këtyre viteve.
Kryeministri Berisha tha se nuk ka vend që të këtë ndryshuar më shumë sesa Shqipëria në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo ka ardhur dhe si rezultat i ndihmës së madhe dhe solidaritetit shkëlqyer të Gjermanisë dhe vendeve të tjera.
Problemet më të mëdha që ka hasur Shqipëria në të shkuarën kanë qenë korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilat jo më larg se tre vjet më parë ishin kthyer në sistem dhe bllokonin procesin e integrimit e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të shpallur nga qeveria shqiptare gjatë këtyre tre viteve ka bërë të mundur të arrihen rezultate shumë të rëndësishme dhe transformim rrënjësor i vendit.
Në këtë kontekst, Kryeministri i paraqiti Kacelares Merkel reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fusha shumë të rëndësishme si në atë ekonomike, në lehtësimin dhe krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin, etj. Kryeministri e njohu Kancelaren dhe me vlerësimet e raporteve ndërkombëtare si “Doing Business”, të Bankës Botërore, “Transparency International”, etj..
Kancelarja Merkel u interesua të dinte më tepër për problemet e korrupsionit që ende egzistojnë në sistemin e drejtësisë dhe atw shëndetësor, duke shprehur në të njëjtën kohë përkrahjen e qeverisë gjermane në reformat e rëndësishme për të luftuar korrupsionin në këto dy sektorë jetikë si dhe gatishmërinë e Gjermanisë për të dhënë mbështetje në këto reforma.
Populli shqiptar ka qenë më i izoluar sesa vendet e tjera, ç’ka e rrit rëndësinë e rezultateve të arritura nga qeveria shqiptare. Kryeministri falenderoi kancelaren për mbështetjen që Gjermania po jep për ftesën për anëtarësimin në NATO, për mbylljen sa më shpejtë të këtij procesi dhe mbështetjen për integrimin në BE. Me këtë rast, Kryeministri Berisha mori premtimin nga Kancelarja Merkel se Gjermania do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë me Bashkimin Evropian brenda vitit 2008 dhe shumë shpejt Protokollin për Anetaresimin e Shqipërisë në NATO.
Kancelarja Merkel e siguroi Kryeministrin për angazhimin e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqipërinë në shumë fusha të rëndësishme, veçanërisht fushën e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme si projekte në transmetimin e energjisë elektrike, në ujësjellësa, kanalizimeve, etj.. Gjithashtu ajo i premtoi Kryeministrit Berisha se Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë në fushën e arsimit profesional
Kryeministri i kërkoi gjithashtu Kancelares përkrahjen dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe qarkullimin e lirë të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian, që do të jetë një ndihmë e madhe dhe një hap shumë i rëndësishëm për të afruar shqiptarët me qytetarët e BE-së.
Duke e garantuar Kancelaren se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat dhe po ndërton të gjitha infrastrukturat e nevojshme duke përmbushur të gjitha standardet për emigracionit, kufijve për të bërë të mundur standardet e vëna nga Bashkimin Evropian për lehtësimin e regjimit të vizave.
Dy personalitetet diskutuan për zhvillimet në rajon, veçanërisht për Kosovën, si dhe për rolin që Shqipëria ka dhënë për modelimin e sigurisë dhe në rajon. Kryeministri Berisha e falënderoi Kancelaren Merkel për ndihmën që Gjermania ka dhënë për Kosovën si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pas vizites se pare qe zoti Berisha zhvilloi ne cilesine e presidentit te Republikes, me ftese te Kancelarit Helmut Kol, kjo eshte vizita e dyte dhe me e suksesshmja qe kryeministri Berisha zhvillon ne Gjermani.
08/10/2008