E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri jashtëm Steinmeier vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe shpreh respektin më të thellë për reformat e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare

Gjatë vizitës që kryeministri Berisha po zhvillon në Gjermani, pati një takim të përzemërt me Ministrin Federal të jashtëm Dr. Frank-Walter Steinmeier. Duke i uruar mirëseardhjen Kryeministrit shqiptar, zoti Steinmeier shprehu vlerësimin e tij më të lartë, për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe për reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Ministri i Jashtëm Steinmeier  shprehu konsideratën e tij më të lartë si dhe respektin e tij më  të thellë dhe të qeverisë gjermane për arritjet e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë, luftën kundër informalitetit, përmirësimin e klimës së biznesit etj, të cilat kanë mundësuar  krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen mirëqenies së qytetarëve.

Duke përgëzuar qeverinë shqiptare për ecurinë e proceseve integruese, Ministri i Jashtëm Steinmeier e siguroi Kryeministrin Berisha  për mbështetjen e qeverisë gjermane për anëtarësimin sa më parë me të drejta të plota të Shqipërisë në  NATO, si dhe integrimin në BE.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Ministrin e Jashtëm Steinmeier, duke ndarë me të, të njëjtin mendim për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kryeministri vlerësoi ndihmën shumë të çmuar dhe të vazhdueshme që Gjermania ka dhënë  dhe po jep në proceset e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE. Të dy personalitetet shprehën  vullnetin e tyre për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në mënyrë të vecantë, për sa i përket rritjes së investimeve gjermane në Shqipëri.

Më pas, kryeministri Berisha bëri një prezantim të reformave të thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, si dhe të arritjeve në fushën ekonomike, të biznesit, etj. Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë në masat e ndermarra nga qeveria shqiptare për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin në tërësi, duke theksuar se kjo klimë ka ndikuar në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri e njohu zotin Steinmeier me hapat konkrete, për lehtësimin e të gjitha procedurave për biznesin, duke u ndalur tek e-taxes, e procurement, e-dogana, etj

Kryeministri theksoi se si pasojë e luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal qeveria shqiptare ka arritur të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë tre viteve të fundit me rreth 1,4 miliard dollarë në vit.  Kryeministri Berisha  u shpreh se tashmë këto arritje janë pasqyruar në raporte të rëndësishme ndërkombëtare, siç është ai i Bankës Botërore “Doing bussines, i cili e rendit Shqipërinë ne vendin e dytë në botë për sa i përket ecurisë së reformave vitin e kaluar, si dhe raporti i Transparent International i cili konfirmon se Shqipëria ka lënë pas 95 vende  në luftën kundër korrupsionit.

Duke u ndalur  tek zhvillimet më të fundit në rajon, kryeministri Berisha e falënderoi Ministrin e jashtëm  për kontributin e Gjermanisë për paqen dhe stabilitetin në rajon, si  dhe për njohjen e pavarësisë  së Kosovës nga ana e Gjermanisë. Më tej, të dy personalitetet vlerësuan rëndësinë që ka njohja e pavarësisë së Kosovës, si kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në vijim, Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrit të jashtëm Steinmeier mbështetjen  e Gjermanisë për liberalizmin e vizave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë ne hapësirat evropiane, duke i siguruar se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat për të plotësuar kriteret dhe standardet e kërkuara nga BE, për sa i përkert infrastrukrturës së nevojshme, si dhe  eshte e gatshme të nënshkruajë çdo marrëveshje me vendet e BE-së, për të garantuar sa më të shpejtë, lëvizjen e qytetarëve shqiptarë, pa viza, në hapësirat e BE-së.


08/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›