Kanceri dhe liderët e Amerikës Latine, Çavez: Po na sëmur SHBA-ja
Presidenti i Venezuelës shprehet se Shtetet e Bashkuara mund të kenë gjetur një mënyrë për ti sëmurur liderët e Amerikës Latine me kancer. Reagimi i Çavezit erdhi menjëherë pasi ai mori vesh lajmin e prekjes nga kanceri të presidentes së Argjentinës, Kristina Kirshner.
Kjo e fundit është një nga deklaratat tipike kontraversiale që Çavez bën herë pas here, por ai thekson se nuk akuzon njeri, thjesht janë mendime të thëna me zë të lartë.
Nuk do të ishte habi nëse ata kanë zhvilluar një teknologji për të nxitur kancerin dhe askush nuk e ka marrë vesh deri tani. Nuk e di, thjesht po reflektoj, ka thënë ai gjatë një fjalimi para trupave ushtarake.
Është shumë e çuditshme. Është e vështirë për tu shpjeguar, për tu arsyetuar, aq më tepër kur përdor ligjet e probabilitetit.
Çavez shkon më tej kur paralajmëron liderët e tjerë të Amerikës Latine të kenë kujdes, duke përfshirë këtu edhe aleatin e tij të ngushtë, presidentin e Bolivisë, Evo Morales. Duhet të kujdesemi për Evon. Kujdesu për veten Evo!, tha ai.
57-vjeçari Çavez dhe Fidel Kastro janë zërat më të lartë të kritikës latinoamerikane ndaj politikës së jashtme të SHBA-së.
Paralajmërimet e Kastros
Fideli ma ka thënë gjithmonë: Çavez, ki kujdes. Ata njerëz kanë teknologji të zhvilluar. Ti je i pakujdesshëm. Shikoje mirë se çfarë ha, çfarë të japin për të ngrënë një shiringë e vogël mjafton dhe ata mund të të injektojnë një Zot e di se çfarë, tha Çavez.
* * *
Amerika Latine, Kirshner, liderja e pestë që preket nga kanceri
Presidentja argjentinase Kristina Kirshner vuan nga tumori në tiroide. Ajo do të operohet gjatë ditëve të para të janarit, duke ia lënë drejtimin e vendit për një muaj zëvendësit të saj. Zëdhënësi i qeverisë ka saktësuar se sëmundja e rëndë nuk ka prekur ende sistemin limfatik dhe mjekët nuk kanë konstatuar asnjë shenjë metastaze.
Presidentja Kirshner zbuloi se ishte prekur nga kanceri i tiroides më 22 dhjetor gjatë një kontrolli rutinë. Sipas specialistëve, mundësitë e shërimit të plotë janë shumë të mëdha. Ndërkohë, drejtimi i Argjentinës do ti besohet zëvendëspresidentit Amado Boudou.
Precedentët
Rasti i presidentes argjentinase e çon në 5 numrin e liderëve politikë të prekur nga kanceri në Amerikën Latine. Në 2009-n, Dilma Rouseff, ministre në qeverinë braziliane, iu nënshtrua kimioterapisë pasi zbuloi se vuante nga tumori limfatik. Pasi u shërua, ajo nisi fushatën elektorale që i dha fitoren vitin e kaluar.
Dy muaj më pas, vetë presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva u prek nga kanceri i grykës dhe nisi një seri trajtimesh mjekësore, të cilat çuan në përmirësimin e gjendjes së tij.
Në Paraguai dhe Venezuelë, kanceri ka prekur liderët që janë ende në pushtet. Fernando Lugo ka arritur ti shpëtojë vdekjes, pasi u kurua me sukses për limfomën në një spital të Brazilit, ndërsa më e paqartë mbetet gjendja shëndetësore e Hugo Çavezit.
Lideri i Venezuelës iu nënshtrua një operacioni në Kubë korrikun e shkuar dhe që atëherë vijon të trajtohet në ishullin komunist, por pa dhënë detaje në lidhje me ecurinë e sëmundjes. Mendohet se Çavez vuan nga kanceri i prostatës apo kolonës vertebrore. Vetë ai deklaron se është shëruar dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
E papritur në Argjentinë
Pavarësisht se lajmi i sëmundjes së presidentes Kirshner ishte i papritur, në Argjentinë diskutohej prej kohësh në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore. Gjatë viteve të fundit, ajo është detyruar disa herë të anulojë takime zyrtare për arsye shëndetësore.
Zyrtarisht është thënë se ajo vuan nga presioni i ulët i gjakut dhe probleme që lidhen me stresin. Kirshner ka refuzuar mjekimin në strukturën spitalore të presidencës dhe do të operohet në një klinikë private në Buenos Aires në 4 janar.
Përgatiti: Gazmira Ndoja