Kanceri pediatrik, beteja e dyfishtë. Kur diagnoza, trajtimi dhe mbështetja nuk janë gjithmonë në kohë

Një diagnozë kanceri nuk është vetëm një betejë me sëmundjen. Për një fëmijë dhe familjen e tij, është një udhëtim që shpesh nis me pyetjen: ku do të kurohemi?
Agjencia për kërkimet ndaj kancerit vlerësoi se mbi 275 mijë fëmijë dhe adoleshentë u diagnostikuan me kancer gjatë 2024-ës po numri mund të jetë më i lartë sepse në shumë vende nuk ka regjistra, siç ndodh edhe me Shqipërinë. Vendi ynë referon rreth 120 fëmijë në vit.
“Ekzistojnë të dhëna në qendrën spitalore Nënë Tereza, por ato nuk paraqesin një tablo të plotë të sëmundshmërisë në vend. Ka fëmijë të cilët sapo diagnostikohen apo dyshohet se kanë një sëmundje tumorale, marrin rrugët jashtë vendit për diagnostikim dhe trajtim. Një pjesë e mirë shkojnë në spitalin “Bambino Gesu” në Romë. Mungesa e një regjistri kombëtar nuk lejon evidentimin e të gjitha rasteve dhe për pasojë vështirëson planifikimin e nevojave për barna, diagnostikë dhe trajtim”, u shpreh Albana Hidersha nga “Hope for Kids Albania”.
Diagnoza e vonuar ka përkeqësuar gjendjen e fëmijëve, megjithëse ekipet mjekësore kanë bërë të pamundurën.
“Disa analiza morfologjike në bashkëpunim me ambasadën holandeze, dërgohen pranë “Princess Maxima Center” në mënyrë që fëmijët të kenë akses në ekzaminime që nuk mund të kryhen këtu”, tha ajo.
Prindërit, të gjendur në nevoja sa brenda dhe jashtë vendit, janë grupuar prej një viti nën nismën “Hoper for Kids Albania” që zgjidhjet e probleme të kancerit pediatrik të gjenden në Shqipëri dhe t’u lehtësohet barra familjeve.
“Ne e vendosim theksin tek rindërtimi dhe forcimi I sistemit shëndetësor në Shqipëri, në mënyrë që jashtë vendit të dërgohen vetëm rastet që kanë nevojë për trajtime më të specializuara. Zgjidhjet duhet të gjenden këtu. Nuk është e thjeshtë që një nënë të marrë fëmijën dhe shkojë jashtë vendit për trajtim edhe nëse ka mundësi financiare, situata është vështirë”, tha ajo.
Një fëmijë me kancer nuk duhet të luftojë dy beteja: njërën me sëmundjen dhe tjetra me mungesën e mundësive. Përtej barnave dhe seancave të kimios, fëmija ka nevojë të ketë familjen pranë dhe mbi të gjitha shpresën se sistemi nuk e ka lënë vetëm.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/