Kandiç: Serbia ka bërë krime, ta harrojë Kosovën

Natasha Kandiç po do që të gjithë ata që kanë kryer krime lufte në vendet e ish-Jugosllavisë, pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin, të mos lejohen që t`i ikin përgjegjësisë së tyre. Drejtoresha ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare ka mbajtur të mërkurën një ligjëratë në Universitetin Amerikan në Prishtinë.
Kandiç ka lobuar në favor të idesë së nismës “Komra”, e themeluar në shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë, me qëllim të themelimit të një komisioni ndërshtetëror për vërtetimin e fakteve mbi viktimat dhe rastet më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut të kryera gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë për periudhën 1991.
“Komisioni duhet të detyrojë të gjithë ata që kanë kryer krime lufte t`i pranojnë ato”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare. “Ky komision që do të përbëhej nga të gjitha shtetet e përfshira në konflikt e duhet të bëjë që padrejtësitë të dalin në pah, kushdo që i ka bërë ato”, ka thënë Kandiç.
Ajo ka theksuar se Serbia nuk ka të drejta morale për ta kthyer Kosovën nën autoritetin e saj. “Secili vend që bën krime, siç ka bërë Serbia, nuk ka të drejtë që të thotë se ende e do territorin e saj të humbur. “Kosova ka qenë viktimë evidente e krimeve të luftës nga ana e Serbisë dhe për këtë e kam kuptuar që Kosova nuk mund të jetë pjesë e saj”, ka thënë ajo.
Kandiç ka thënë se nuk është e befasuar nga fakti se mediat dhe elita intelektuale serbe nuk debatojnë për krime lufte, por është e shprehur të jetë e habitur me shtetin e ri. “Serbia nuk hap debat, sepse nuk dëshiron të japë shpjegim. Shembulli është ajo që ndodhi para një muaji, kur gjenerali i policisë, Vlastimir Gjorgjeviç, i dënuar për krime lufte, u dënua me 27 vjet burg” por unë befasohem se pse nuk po debatohet në Kosovë” ka theksuar Kandiç.