Kurti e quan shoviniste Maqedoninë

Albin Kurti nuk është ndaluar gjatë kalimit të kufirit Kosovë – Maqedoni. Një vit më parë u ndalua në kufi nga autoritetet maqedonase pasi po udhëtonte drejt Maqedonisë të propagandonte bashkimin kombëtar, por kësaj radhe ai kaloi kufirin dhe nga Shkupi tha se “shqiptarët po shtypen si në kohën e Jugosllavisë”.
“Karakteri nacional - shovinist i Maqedonisë është ai i cili duhet të ndryshohet. Këtë shqiptarët duhet ta thonë hapur dhe me vendosmëri dhe të mos lejojnë që qarqet shoviniste maqedonase ti shtypin shqiptarët si në kohën e ish Jugosllavisë. Politikanët shovinistë maqedonas duhet ta kuptojnë se problemi në Maqedoni nuk janë shqiptarët, por problemi është karakteri i shtetit i cili në aq shumë aspekte është anti-shqiptar”, ka thënë Kurti.
Kurti nga Shkupi, kritikoi qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë.
“Ne nuk jemi të kënaqur me Qeverinë e Kosovës jo vetëm me politikat e brendshme por edhe sa i përket një lloj mos angazhimi të kësaj qeverie jashtë Kosovës. Kjo gjë ndodh edhe me atë të Tiranës” ka shtuar Kurti.