E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kandidatët në fund të listës, sa janë shanset që të bëhen deputetë?

Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet sistemi i listave të hapura, ku një kandidat mund të fitojë një vend në Parlament, nëse personalisht merr më shumë vota se sa fituesit zyrtar të renditur sipas çdo qarku nga partia politike. Shumë emra të njohur, veçanërisht në listat e PS-së, si Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, por edhe emra të tjerë, janë renditur poshtë listës fituese që pretendon PS të fitojë. E njëjta situatë paraqitet edhe për listën e PD-së, ku Flamur Noka, Luçiano Boçi apo Gent Strazimiri nuk ndodhen në listën e sigurt ku janë rreshtuar.

Por sa janë shanset që një kandidat të arrijë që nga fundi i listës së renditur të marrë vota dhe të thyejë ato rivalë që janë të renditur në zonën e sigurt?   Pikë së pari që një subjekt politik të marrë mandate duhet të kalojë pragun që llogaritet mbi bazën e votave të vlefshme. Sipas nenit 162 të Kodit Zgjedhor, “për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi”. Nëse marrim shifrat e zgjedhjeve të fundit të zgjedhjeve parlamentare kishte 1.582.187 vota të vlefshme dhe mbi bazën e kësaj llogaritjeje që një parti të futen në llogaritjen e ndarjen e mandateve duhet të ketë të paktën mbi 15 mijë vota në shkallë kombëtare. Nëse partitë e kalojnë këtë prag votash, atëherë do të përfshihen në ndarjen e mandateve sipas votave të çdo qarku.

Sipas Kodit përcaktohet se në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi.

“Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Kandidatët me numrin më të lartë të votave parapëlqyese se herësi, sipas pikës 3 të këtij neni, zëvendësojnë me radhë kandidatët në listë, që mund të kishin përfituar mandate, të cilët kanë numrin më të vogël të votave parapëlqyese”, thuhet në 163 të Kodit.

Nuk është e ndarë me thikë procesi se sa vota i duhet një kandidati i duhet të mposhtë fituesit e listave, por se ai varet nga numri i votave mbi bazën e çdo qarku. Sipas përllogaritjeve, një kandidati i duhet të paku të sigurojë së paku nga 9-11 mijë vota. Këto vota janë si maksimalja e mundshme, por se mandati i deputetit mund të fitohet edhe më pak vota dhe kjo varet nga ndarja e mandateve brenda partive. Kjo varet mbi bazën e herësit që llogaritet mbi bazën e çdo qarku.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›