Kreu i PD Basha, akuza Ramës: Nuk zgjidhet gjë po nuk u largua ai

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme foli për listat me të cilat do të garojë partia e tij. Ai gjithashtu bëri edhe njëherë fajtor kryeministrin Edi Rama për gjendjen aktuale të Shqipërisë. Sipas tij, Rama e ka mbajtur peng vendin falë bandave të krimit, disa emra prej të cilëve i ka përfshirë në listat e PS.
“PD me listën e hartuar dje, sëbashku me aleatët, do nisim marshimin drejt 25 prillit, bashkë për ndryshimin bashkë për fitoren e çdo shqiptari. Kjo është e vërteta e listës së PD në çdo qark.Ne e shohim politikën si shërbim, jo si privilegj për të grabitur, që e ka kthyer përmbys Shqipërinë. Me 25 prill vjen ndryshimi. Njerëzit i kanë kthyer sytë nga Aleanca për Ndryshim. Nuk do jetë betejë e lehtë, por pa largimin e Edi Ramës nuk ka ndryshim. Edhe listën që ka e ka një fasadë. Nuk ka të ardhme me të dhe shërbëtorët e tij që kanë grabitur qindarkat e fundit të çdo shqiptari. Kudo duket dora e krimit dhe bandave, mjafton të shohim kandidatët e bandave në Durrës, Shijak me emra të njohur ndërkombëtarisht. Ka plot emra që përfaqsojnë klanet kriminale. Këta njerëz e kanë pasur pushtetin, prandaj jemi sot këtu. Pas 8 vjetësh ofron një fasadë të rrënuar poshtë të cilit gëlojnë bandat e krimit me shpresën se do u hedhin hi syve të njerëzve që duan ndryshim. Ndryshimi do të vijë edhe pë rata socialist zemërthyer, që e shohin sot që nuk ka reflektim por ka dhe pengmarrje të shpresës për ndryshim. Me 25 prill nuk do të fitojë vetëm PD, por çdo shqiptar. Ata që nuk duan ndryshim, janë ata që duan të fitojnë në kurriz të shqiptarëve. Edhe po të sillte listë cilësore, asgjë s’do të ndryshonte për sa kohë që në krye është Edi Rama,” tha Basha.