“Kandidatët për deputetë të Ramës të lidhur me pastrimin e parave dhe krimin”
Deputeti i PD, Gerti Bogdani: Ftesë për të hetuar kompanitë e përbashkëta të Fidel Yllit me Valentina Leskajn
Partia Demokratike ka akuzuar kreun e partisë Socialiste Edi Rama se po prezanton kandidatë për deputet të lidhur me biznesin e pisët dhe krimin. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Gerti Bogdani, theksoi se, “ka mbi një muaj që Edi Rama deklaron në media kandidatët që e kanë kapur; e kanë kapur me para, e kanë kapur me afera, e kanë kapur me dosje penale, e kanë kapur me shërbime politike”.
Sipas tij, ka mbi një muaj që Rama i prezanton shqiptarëve fytyrën që nuk duhet të ketë grupi parlamentar i PS-së, por që do ta ketë se Rama është i kapur.
“Ky nuk është zakon i ri i Ramës, dhe nuk ka pse të habisë njeri. Me të njëjtën formë ai i ka dhuruar Kuvendit që është sot, ‘Rilindës’ me emër në biznesin e pisët dhe ne lidhjet me krimin. Nuk duhet shumë të gërmosh për të ilustruar faktet. Këtë periudhë Kuvendi ka qenë në procedurë shqyrtimi për deputetin Fidel Ylli dhe shumë shpejt kanë dalë në dritë, skemat që Fideli i partisë ka përdorur për të anashkaluar ligjin, për të kamufluar bizneset, pse jo për të pastruar para”, theksoi Bogdani.
Ndër të tjera, deputeti Bogdani vuri në dukje se, përpara se Rama dhe Fidel Ylli t’u kërkojnë votat shqiptarëve do ishte mirë të sqaronin p.sh: “Çfarë domethënie ligjore kanë kontratat e shumta me të cilat Fidel Ylli ka ‘dhuruar’ aksione në kompanitë e përbashkëta me deputeten Valentina Leskaj dhe ka marrë ‘dhuratë’ apartamente pa fund nga deputetja, përveç se për të mos paguar taksat ndaj shtetit? Çfarë domethënie ligjore ka mosdeklarimi i kompanisë ‘Trustee investment group’ në deklaratën vjetore të vitit 2009, përveçse fshehje pasurie? Çfarë domethënie ligjore ka aktiviteti i kësaj kompanie vetëm me blerje pasurish të paluajtshme në shuma të mëdha, pa prodhuar asgjë, pa ndërtuar asgjë, pa shitur asgjë, përveçse ngritje në këmbë të mekanizmit të pastrimit të parave? Çfarë domethënie ligjore ka dalja nga kompania në fjalë dhe rifutja e saj në harkun e dy viteve, kur vlera aktiveve e shoqërisë është rritur me shumëfish përveçse, qëllimit për t’u pasuruar në mënyrë ilegale?”.
Në fund, deputeti i PD, nënvizoi se, “nëse praktika e ‘biznesit’ të rilindësit Fidel të z. Rama është vetëm ajo e fshehjes së pasurive, mos deklarimit të tyre, mos pagimit të taksave dhe e pastrimit të parave, atëherë mandatin e deputetit, Rama e Fideli i tij, mos vallë e duan që të legjitimojnë ‘biznesin e pisët’ dhe pisllëkun ta kthejnë në ligj? Mos vallë Rama e do deputetin Fidel, si shëmbëlltyra e tij, se fsheh pasurinë si e fsheh Rama, se pasurohet si pasurohet Rama. Ramën e Fidelin nuk i bashkon ideali. I bashkojnë lejet e ndërtimit dhe biznesi i pisët me to. Kjo nuk është rilindje, kjo është përçudnim”, përfundoi ai.