E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: Udhëtimi i Kishës do të jetë i frytshëm për ungjillizimin

14-03-2013 / Gazeta 55

Papa i ri është kardinali argjentinas Bergoglio dhe emri që ai ka zgjedhur është Françesk. Entuziazmit të besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit ai i është përgjigjur me një lutje që udhëtimi i përbashkët i pontifikatit të tij të ishte i frytshëm për ungjillëzimin. Zgjedhja e argjentinasit Bergoglio është historike, pasi është papa i parë që vjen nga bota e re, nga kontinenti amerikan
 
“O Zot, zgjodhën Papën!” Kjo ishte thirrja që përshkoi mbrëmë Sheshin e Shën Pjetrit, të mbushur përplot me njerëz deri gati në Kështjellën e Shën Engjëllit, kur nga oxhaku mbi Kapelën Sikstine doli tymi i bardhë, në orën 19 e 6 minuta, çka do të thoshte se kardinalët kishin votuar një person, me dy të tretat e votave. Shiu i vazhdueshëm nuk i ndaloi mijëra turistët e besimtarët të qëndronin me durim, me çadrat hapur, pranë Vatikanit, në pritje të Pasardhësit të ri të Shën Pjetrit, Vikarit të Krishtit. “Kemi Papën! Kemi Papën!” janë thirrjet, që paralajmërojnë “Habemus Papam” nga Llozha e Bekimeve. Turma, pasi pa tymin e bardhë, si të ishte një trup i vetëm, vrapoi drejt tremes së Bazilikës së Shën Pjetrit, në pritje të protodiakonit. Pas tij, në Llozhë do të dalë vetë Papa, për bekimin “Urbi et Orbi” e do të thotë fjalët e para për besimtarët e krishterët të të gjithë botës.
“Me gëzim të madh e emocion ju njoftojmë ngjarjen historike, zgjedhjen e Papës së ri, është Jorge Mario Bergoglio, 76 vjeç argjentinas nga Buenos Airesi. Emri i Papës së ri ka zgjedhur emrin Françesk”. Kështu njoftoi Protodiakoni kardinali Jean-Louis Tauran nga ballkoni i Bazilikës së shën Pjetrit në Vatikan.
Kardinalët vërtet shumë shpejt, vetëm pas pesë votimeve, kanë zgjedhur pasardhësin e 265-të të Shën Pjetrit. E turma e stërmadhe e besimtarëve e shtegtarëve që gjendeshin në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e nëpër rrugët e afërta prej disa orëve, shpërtheu në hare e plot brohoritje duke thënë ‘Rroftë Papa’, duke pritur daljen në ballkonin e bazilikës së Shën Pjetrit, të Papës së 266-të të Kishës Katolike.
“Detyra e Konlavës ishte t’i jepte një peshkop Romës: por duket se vëllezërit e mi kardinalë shkuan dhe e morën atë në fund të botës...” ishin fjalët e para që shqiptoi papa Françesku I, duke kujtuar origjinën e tij argjentinase. “Po e nisim këtë udhëtim të Kishës së Romës së bashku, peshkopi dhe populli, në vëllazëri, dashuri e besim mes nesh... të lutemi për njëri-tjetrin, për të gjithë botën, që ky udhëtim i kishës të jetë i frytshëm për ungjillëzimin. Tani do doja të jepja bekimin, por së pari po ju lutem: para se peshkopi të bekojë popullin, po ju lutem që të gjithë t’i luteni Zotit që ai të bekojë peshkopin tuaj”. Ishte i parashikueshëm ngashërimi mes besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit, kur Papa Françesku I u kërkoi besimtarëve të luteshin disa çaste për të. Kjo lutje u pasua nga thirrjet e vazhdueshme të besimtarëve: “bravo-bravo”. Më pas, Papa Françesku dha bekimin e tij në latinisht për të gjithë të pranishmit, duke dhënë edhe faljen e përgjithshme (plenare).

Biografia e Papës së ri, Jorge Mario Bergoglio, Françesku

Jorge Mario Bergoglio, jezuit, kryeipeshkëv i Buenos Airesit, Ordinar për besimtarët e ritit lindor, që banojnë në Argjentinë, lindi pikërisht në Buenos Aires, më 17 dhjetor 1936, nga një familje me origjinë piemonteze. Studioi dhe u diplomua si teknik kimik, por më vonë ndjeu thirrjen e Zotit dhe hyri në seminarin e Villa Devoto. Më 11 mars 1958 kaloi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, përfundoi studimet humanistike në Kili dhe në vitin 1963, pasi u kthye në Buenos Aires, mori diplomën universitare në filozofi në Fakultetin e Filologjisë të kolegjit “San José” të San Miguel-it. Ndërmjet viteve 1964 e 1965 ka qenë profesor letërsie dhe psikologjie në kolegjin e Zojës së Papërlyer në Santa Fe. Në vitin 1996 ka dhënë mësim po këto lëndë në Kolegjin e Shëlbuesit në Buenos Aires. Nga viti 1967 deri në vitin 1970 studioi teologji në Fakultetin e Teologjisë të kolegjit “San José”, ku mori edhe diplomën universitare në këtë fushë. Më 13 dhjetor 1969 u shugurua meshtar. Në vitet 1970-71 përfundoi probandatin e tretë në Alcalà de Henares të Spanjës e më 22 prill 1973 mori kushtet përfundimtare.
Ka qenë mësues novicësh në Villa Barilari të San Miguel-it, profesor në Fakultetin e Teologjisë, Këshilltar i Provincës së jezuitëve dhe Rektor i kolegjit. Më 31 korrik 1973 u zgjodh provincial i Argjentinës, detyrë që e ushtroi për gjashtë vjet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1986 ka qenë rektor i kolegjit dhe i Fakultetit të Filozofisë e të Teologjisë dhe famullitar në kishën e Patrikut shën Jozef, në dioqezën e San Miguel-it. Në mars 1986 shkoi në Gjermani për të përfunduar tezën e doktoraturës. Më pas, eprorët e dërguan në kolegjin e Shëlbuesit, nga ku, kaloi në kishën e Shoqërisë së Jezusit në qytetin e Kordovës, ku kreu detyrën e drejtuesit shpirtëror e të rrëfyestarit. Më 20 maj 1992, i Lumi Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv titullar të Aukës dhe ndihmës të Buenos Airesit. Më 27 qershor të po atij viti u shugurua ipeshkëv .

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›