E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët, provim pas vitit të parë të studimeve

03/05/2010 Sipas ndryshimeve, kandidatët kalojnë në një provim të përgjithshëm teorik që e organizon universiteti.

Zbatimi i ndryshimeve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë kushtëzon kandidatët që përveç njohurive të kualifikuara në zotërimin e anglishtes, do ti nënshtrohen edhe një provimi të përgjithshëm që do të organizohet nga vetë universiteti. Konkretisht, ndryshimet që ndodhin në studimet e doktoratës lidhen me faktin që pas vitit të parë të studimeve teorike, kandidatët kalojnë në një provim të përgjithshëm teorik që e organizon universiteti. Gjithashtu, kjo strukturë universitare do të gëzojë kompetencë të plotë në vendosjen e kritereve specifike që kandidati duhet të plotësojë për kalimin në fazën e dytë të zhvillimit të projektit kërkimor. Përveç këtij provimi, element i dytë i rëndësishëm është se kandidatët që regjistrohen në studimet e doktoraturës, përpara se të fillojnë projektin kërkimor, duhet të paraqesin certifikatën e zotërimit të gjuhës angleze të njohur në shkallë internacionale me një numër pikësh që e vendos universiteti. Zotërimi i gjuhës angleze gjithashtu do të jetë kusht edhe për pranimet në programet afatgjata të specializimit. Në fushën e mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Shtesat e bëra në ligjin aktual parashikojnë që miratimi i programeve kurrikulare që do të përdoren gjatë vitit akademik do të bëhet nga kreu i dikasterit të arsimit, por kjo vetëm duke u mbështetur në vendimin e marrë më parë nga ekspertët e Këshillit të Akreditimit. Ndërkohë që ndryshimet e realizuara në ligj synojnë që miratimi i shkollave të reja publike ose private të mbetet kompetencë e Këshillit të Ministrave, ndërsa miratimi i drejtimeve dhe programeve të reja mësimore do të jetë kompetencë e ministrit të Arsimit, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Akreditimit. Ligji saktëson: “Ministri nuk mund të marrë asnjë vendim ndryshe nga vendimi i Këshillit të Akreditimit”. Të gjitha ndryshimet që ndodhin në programet e kurrikulës për drejtimet e miratuara janë kompetencë e universiteteve. Në këtë mënyrë edhe universitetet do të mund të hyjnë në garën e konkurrencës, përkrah strukturave të tjera të arsimit të lartë në vend. Një tjetër pikë e rëndësishme është organizimi i departamenteve. Në këtë rast ligji saktëson se departamentet që kanë personel akademik të mjaftueshëm dhe me kualifikimin e duhur do të strukturohen në grupe mësimore-kërkimore. Kjo do të thotë se brenda departamentit krijohet hierarkia institucionale. “Qëllimi është që të promovojmë sa më shumë të rinj në postet e lidershipit brenda departamentit dhe emërimi i titullarëve të grupeve kërkimore-mësimore të realizohet me konkurs të hapur në fakultet”, është pohuar nga ekspertët e arsimit.

Programet e studimeve të doktoratës përfshihen te studimet e ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese. Për këto studime do të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”, kohëzgjatja do jetë të paktën 3 vjet dhe përfshijnë 40 deri në 60 kredite për studime të organizuara teorike.

Një tjetër element i rëndësishëm, që duhet të plotësohet nga të gjithë kandidatët që do të regjistrohen në studimet e doktoraturës, është paraqitja e zotërimit të gjuhës angleze të njohur në shkallë internacionale me një numër pikësh të përcaktuara që e vendos universiteti. Por ky dokument duhet detyrimisht të dorëzohet përpara se të fillojnë projektin kërkimor.

Ndryshimi që bëhet në ligj synon që miratimi i shkollave të reja publike ose private të mbetet kompetencë e Këshillit të Ministrave. Ndërsa miratimi i drejtimeve dhe programeve të reja mësimore do të jetë kompetencë e ministrit të Arsimit, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Akreditimit. Ligji saktëson se ministri nuk mund të marrë asnjë vendim ndryshe nga ai i Këshillit.

Prurjet e reja në stafin akademik

Emërimi u përket atyre që klasifikohen në krye të konkursit

Afrimi i stafit akademik pranë strukturave universitare do të realizohet nëpërmjet konkurrimit individual. Nga gara do të përzgjidhen për vendet e parashikuara të gjithë ata persona që në konkursin e pranimit do të klasifikohen në krye të listës. Kjo procedurë do të aplikohet jo vetëm në radhët e pedagogëve, por edhe të kontingjentit të asistentëve. Kështu, ndryshimet e reja në ligj përpiqen të sqarojnë procedurat e emërimit të asistentëve dhe pedagogëve nëpërmjet konkursit. Rregullat do të jenë të qarta dhe ai që klasifikohet i pari, duhet të emërohet. Ndërsa konkursi do të organizohet nga vetë universiteti. Duke qenë të vetëdijshëm për nevojat që ka sistemi për pedagogë, ligji saktëson që personeli akademik ka të drejtë që të punojë part-time në universitete të tjera publike ose private brenda apo jashtë vendit. Këtë të drejtë e kanë edhe autoritetet drejtuese të universiteteve. Sipas ekspertëve, përmes këtij ndryshimi do të mund të arrihet të shfrytëzohen në maksimum kapacitetet njerëzore. Kjo, pasi sistemi ka nevojë për kontributin e tyre si në fushën e mësimdhënies, dhe atë të kërkimit shkencor. Njëkohësisht organet kolegjiale, këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, një herë në vit duhet të organizojnë një mbledhje të hapur me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve. Në këtë forum dekanët dhe rektorët bëjnë publik raportin vjetor të veprimtarisë, përfshirë edhe atë financiar. Shtesat në ligjin e arsimit të lartë kanë prekur edhe Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë fakultet deri tani kemi pasur strukturën e departamentit dhe atë të shërbimit. Tani edhe shërbimi do të ketë të njëjtin status me departamentin. Në këtë mënyrë u jepet mundësi shërbimeve që të përfitojnë më shumë forca të kualifikuara dhe të integrojnë më shumë të rinj në strukturën e tyre.

Kualifikimi i punonjësve të shëndetësisë

Kërkohet shkolla e lartë edhe për infermierët

Përfshirja e infermierëve në studimet e larta shihet si kusht i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimit që duhet të ofrohet ndaj pacientit. Konkretisht bëhet fjalë për rreth 4500 infermierë, të cilët duhet të ndjekin arsimin e lartë. Sipas Urdhrit të Infermierit, kjo kategori e personelit shëndetësor duhet që deri në vitin 2012 të jenë të regjistruar në një fakultet të infermierisë, pasi është një kriter i domosdoshëm për të ofruar një shërbim sa më cilësor për pacientët. "Ky është një shqetësim për një grup të madh infermierësh që janë me kurse dhe shkollë të mesme. Ne do bashkëpunojmë me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe u kemi kërkuar atyre që nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe me Ministrinë e Arsimit, të krijohen mundësi reale që këta infermierë, ata që kanë dëshirë, të vazhdojnë fakultetet e infermierisë nëpër rrethet e tyre", ka pohuar pak ditë më parë kreu i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi. Sipas tij, ky urdhër do të fillojë të zbatohet gradualisht nga spitalet e mëdha dhe vetëm më pas do të rishihet mundësia e zbritjes edhe te personeli i punësuar pranë qendrave shëndetësore, ose siç njihen ndryshe poliklinikat e lagjeve. Këto standarde do të fillojnë nga qendrat terciare njëherë, ku do të kërkohet fillimisht aty të krijohet një kujdes cilësor dhe më pas do të kalohet në shërbimet e spitaleve rajonale dhe shkallë-shkallë deri në qendrat shëndetësore. Sipas të dhënave të raportuara deri më tani, rezulton se në vendin tonë numërohen rreth 13 mijë infermierë, ku 4500 prej tyre ushtrojnë profesionin nëpërmjet kurseve të bëra apo me mbarimin e shkollës së mesme profesionale.

Universiteti i Tiranës ka propozuar për këtë vit 7000 mijë kuota

Dyfishohen kuotat e pranimit për Informatikën

Rritja e propozuar edhe nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Pranimet në universitete për vitin e ardhshëm akademik do të shoqërohen me një rritje të numrit të kuotave. Për Universitetin e Tiranës rritja më e madhe e kuotave është propozuar për degën e Informatikës. Lidhur me këtë rritje, rektori i UT-së është shprehur për gazetën se është e domosdoshme, pasi nevojat për këtë profesion në tregun e punës sa po vijnë e shtohen. “Edhe për këtë vit ne do të vazhdojmë politikën e shtimit të pranimeve. Por ajo që desha të nënvizoja është se kemi dyfishuar edhe pak më shumë numrin e studentëve që do të pranohen në degën e Informatikës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Aprovimi është bërë pas depozitimit të kërkesës së bërë nga vetë drejtuesit e këtij fakulteti. Rritja është menduar, pasi këto janë specialitete për të cilat tregu jo vetëm ka nevojë, por i përthith më së miri. Nuk janë të pakta rastet kur studentët e informatikës që në vitin e dytë të studimeve kërkohen nga subjektet e biznesit si forca pune”, është shprehur rektori Dhori Kule. Në propozimet e bëra, Universiteti i Tiranës ka kërkuar rreth 7000 mijë kuota pranimi të shpërndara sipas degëve përkatëse. Bazuar mbi propozimet e bëra nga UT-ja, dega që do të këtë numrin më të madh të pranimeve është Fakulteti i Ekonomikut, me 1140 kuota me kohë të plotë dhe 26 që do të jenë kuotat e trojeve. Në Fakultetin Histori-Filologji janë përcaktuar 390 kuota me kohë të plotë, në Fakultetin e Shkencave Natyrore janë propozuar 880 kuota me kohë të plotë dhe 90 kuota nga trojet. Për Fakultetin e Drejtësisë janë propozuar 712 kuota, për Shkencat Sociale 600 kuota, për Mjekësinë 370 kuota, për Fakultetin e Infermierisë 600 kuota, si dhe për degët e Gjuhëve të Huaja rreth 820 kuota me kohë të plotë dhe 15 nga trojet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›