Kandidatët republikanë debatuan në Arizonë

Debati në Arizona u zhvillua në një fazë të rëndësishme të emërimit të kandidatit, kur ish- senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum dhe ish guvernatori i shtetit Massachusets, Mitt Romney, janë në një garë të ngushtë për vendin e parë.
Të dy kandidatët kryesorë u përplasën me njeri tjetrin lidhur me veprimet e tyre për shpenzimet qeveritare. Romney tha se Santorum kishte votuar pesë herë për ngritjet e nivelit të borxhit amerikan, çështje të cilën e ka përsëritur vazhdimisht gjatë fushatës.
Santorum u përgjigj se Romney kishte mbështetur ngritjen e nivelit të borxhit verën e kaluar dhe ishte në favor të ngritjes së tatimeve për një përqindëshin me të ardhurat më të larta të popullatës në Shtetet e Bashkuara, gjë që Romney e mohoi.
Kongresisti nga Teksasi, Ron Pol iu bashkua sulmit, duke thënë se Santorum ishte një konservator “fals”, i cili thotë një gjë gjatë fushatës dhe praktikon diçka tjetër pasi zgjidhet.