E Diel, 1 Nëntor 2026

Kofi Anan, emisar special për Sirinë

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, është emëruar emisar special i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe për Sirinë.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu aktual i OKB-së, Ban Ki-Moon dhe shefi i Ligës Arabe, Nabil Elarabi.

“Anan do të angazhohet për fundin e dhunës dhe të shkeljeve të të drejtave të njeriut, si dhe për promovimin e një zgjidhjeje paqësore të krizës në Siri”, thuhet në deklaratën e OKB-së.

Siria është përfshirë nga protestat anti-qeveritare që nga marsi i vitit të kaluar. Protestuesit kanë hasur në shtypjen e regjimit, çfarë ka rezultuar me disa mijëra të vrarë.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë nga 70 vendet perëndimore dhe arabe u tubuan nën Tunizi, për takimin e ashtuquajtur “Miqtë e Sirisë”.

Raportet e disa medieve thonë se ato do të bëjnë ultimatum për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad: osë të zbatojë armëpushimin e menjëhershëm, që do të lejonte furnizimin e civilëve me ndihma, ose të vuajë pasojat që do të përcaktohen.

Takimi në kryeqytetin tunizian po ashtu pritet të njohë Këshillin Kombëtar të Sirisë, si përfaqësues legjitim të këtij vendi.

Tunizia pritet të propozojë një zgjidhje për krizën 11 muajshe në Siri, e cila përfshin vendosjen forcës paqeruajtëse dhe largimin e Assadit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›