Kandidati i PD, Lulzim Basha akuzon kryebashkiakun socialist të Elbasanit

“Qiraja për Qazim Sejdinin”, gjoba e tregtarëve 160 mijë lekë
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin, i cili sipas Bashës, për përfitimet e tij personale po abuzon në kurriz të tregtarëve që punojnë gjithë ditën e nuk arrijnë dot të mbajnë familjen, por vetëm të paguajnë qiratë e majme prej të cilave përfiton edhe kryebashkiaku. Reagimi i Bashës ka marrë spunto nga ankesa e disa tregtarëve, të cilët u ankuan se janë duke falimentuar, pasi detyrohen që çdo muaj, vetëm qira për Sejdinin të paguajnë 160 mijë lekë. Qytetarët thanë se kryebashkiaku i Elbasanit ka vendosur një qira shumë të lartë për pikat e tregtimit.
“160 mijë lekë i do çdo muaj ‘baba’ (Qazimi). Kush vjen këtu. Kjo është rrugë varrezash. Mos pyet më, këtu jemi të marrë fund të gjithë. Edhe ai që është më i majti, është i marrë fund e do të thotë votoj për Partinë Demokratike”, tha një tregtar në Elbasan.
Kandidati i Partisë Demokratike Basha deklaroi se PD do ta ndryshojë shumë shpejt gjendjen.
“Jam i skandalizuar nga ajo që shoh në këtë treg. Gjej një numër tregtarësh që punojnë gjithë ditën si skllevër dhe nuk nxjerrin dot as bukën e gojës. Një pjesë e tyre nuk nxjerrin as qiranë, e cila është shumë e lartë. Lëvizja e tregut nga Namazgjau e ka rrënuar biznesin”, tha Basha që theksoi se kjo situatë është krijuar nga kryetari i bashkisë dhe një grup njerëzish të cilët pasurohen duke vjelë taksat.
“Duket qartë se kemi të bëjmë me një model pak a shumë si modeli i kryetarit të bashkisë së Tiranës. Një model i cili mbledh përfitimet në një grup njerëzish dhe shton taksat për biznesin e vogël, pasuron vetveten dhe një grup njerëzish dhe varfëron pjesën tjetër të biznesit të vogël. Kjo është një situatë e papranueshme për Partinë Demokratike”, tha Basha duke premtuar se shumë shpejt do të iniciojë mbledhjen e këshillit bashkiak për zgjidhjen e këtij problemi.
...