E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti Studenti, simboli që tregon se Berisha do përsërisë triumfin e 1992-it

Kryeministri Berisha u prit mbrëmë me një miting madhështor në “Qytetin Studenti”, në emblemën e Demokracisë. Lideri që ka drejtuar forcën politike që solli lirinë e shqiptarëve mori premtimin e studentëve se me kontributin e tyre, 28 qershori do të regjistrojë një fitore edhe më të thellë sesa ai i arritur 22 marsin e 1992

Nga sheshi “Demokracia” në Qytetin Studenti, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një miting të jashtëzakonshëm në prani të qindra e mijëra studentëve, të rinj dhe të reja, mbështetës të vyer të vlerave demokratike. Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, rikthehet në atë shesh, aty ku 19 vjet më parë u organizuan tubimet e para studentore kundër regjimit të kalbur komunist, të Ramiz Alisë. 

Nën brohoritjen e studentëve të shumtë, kryeministri Berisha shpalosi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme, duke vënë theksin tek vijimi i reformave, standardizimi i universiteteve shqiptare, zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë nëpërmjet politikave të qarta, liberalizimin e plotë të vizave dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në familjen e madhe evropiane. 

Duke iu drejtuar studentëve, kryeministri Berisha u shpreh se “19 vjet më parë ju mbushët këtë shesh me thirrjen ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. 19 vjet më parë shoqëria shqiptare përjetonte mungesën e madhe të lirive, përjetonte pasojat e tmerrshme të izolimit më të thellë, përjetonte mjerimin e gjeneratave para jush. Ndaj dhe mbushët këtë shesh, rrugët e sheshet e Tiranës të thërrisnin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’. Sot ja ku jemi sërish këtu, por ju që jeni sot këtu, jeni gjenerata më e lumtur e shqiptarëve, jeni gjenerata e lirisë. Ju nuk përjetuat asnjë ditë tmerrin e mungesës së lirive, ju nuk përjetuat asnjë ditë pasojat e izolimit të thellë, ju nuk përjetuat mjerimin skllavërues që përjetuan gjenerata para jush. Ju jeni qytetar në NATO, ju jeni anëtarë të cilët Shqipërisë do t’i jepni shpejtësi të papara në rrugën e zhvillimit”, deklaroi Berisha. 

Kreu i qeverisë shtoi se historia e njerëzimit provon se ëndrra e lirisë është forca më e fuqishme e transformimeve që vijnë sot, është më e madhe, më e fuqishme. 

“Ju jeni zemra dhe mendja, ata të cilët do ta shndërronin ëndrrën me shpejtësi në realitet, imagjinata juaj, horizonti juaj nuk njohu trysni dhe diktatura, por liri dhe vetëm liri. Ju jeni pararendësit e ardhshëm të këtij kombi ndaj dhe unë do të bëj çdo gjë për suksesin tuaj në jetë, do të bëj gjithçka që ju të fluturoni pa viza në mbarë Evropën. 19 vjet më parë në këtë shesh u ndesh Davidi dhe Goliati, tre javë më parë në këtë shesh u shfaqën bijtë e etërve të diktaturës. Që me gishtin si mbeturinat e ushtrive të shpartalluara rikthehen në Vaterlonë e tyre, po i them sot, Rama ja ku jam me këta studentë, do ta kthejnë fitoren e marsit të ‘92 në fitoren e thellë të 28 qershorit”, u shpreh kryeministri.

Berisha vlerësoi lart figurën e tribunit të lirisë shqiptare, Azem Hajdari, i cili nga sheshi “Demokracia” organizoi grupimet e studentëve. 

“19 vjet më parë në këtë shesh u ngrit dhe u vendos në zenitin e lirisë së shqiptarëve, ai shoqërohej nga një grup studentësh dhe studentesh trima, ai është tribuni i lirisë shqiptare Azem Hajdari. Në takimin tim të parë me të ka ndodhur në rrugën e Elbasanit, që drejtohej drejt sheshit, ky student i ri ngrihej mbi supet e shokëve të tij duke brohoritur ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’, ndaj dhe le të punojmë të gjithë së bashku që në zgjedhjet e 28 qershorit të bëjmë që Shqipëria vërtetë të bëhet si Evropa, Evropa votoi blu, për ju, për shqiptarët, çdo votë majtas është votë prapa është votë për të shkuarën le të bashkohemi të gjithë të votojmë për Tiranën evropiane, për idealet tona evropiane për Shqipërinë evropiane”, vijoi kryeministri. 

Kryeministri premtoi se në vitet në vijim qeveria do të modernizojë tërësisht universitet shqiptare, për kushtet më të mira dhe për cilësi më të lartë. 

“Unë ju garantoj se ju keni qenë dhe mbeteni çështja kryesore e imja. Zhan Zhak Ruso, njëri prej korifenjve të mendimit njerëzor shkruan diku ‘Se është më mirë të mundohesh duke mësuar se sa të mbetesh injorant’. Do bëjmë çdo përpjekje për modernizimin e universiteteve shqiptare, për kushtet më të mira, për cilësi më të lartë. Do bëj çdo gjë që ju të jetoni moshën dixhitale, të keni kompjuter në çdo dhomë”, u shpreh Kryeministri. 

Kreu i qeverisë vuri në dukje se katër vitet që shkuan me idealet evropiane të shqiptarëve, të rinjve, qeveria mori mbështetje dhe në sajë të reformave, Shqipëria u anëtarësua NATO. 

“Ne udhëtojmë tashmë si vend anëtar i NATO-s. Katër vitet që shkuan me reforma të thella ne ia dolëm të vendosim Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Evropë, në katër vite ne ia dolëm të krijojmë 80 mijë vende pune. Bizneset në Shqipëri nga 40 mijë që ishin në katër vite më parë janë sot 102 mijë. Por Shqipëria është e gatshme për miliarda e miliarda investime, hidrocentrale, porte aeroporte, autostrada. Vendimtare për ne është uragani juaj i lirisë, është përkushtimi juaj, këto ditë që na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit askush më shumë se ju nuk mund të dijë, për të votuar projektin e Shqipërisë evropiane, ëndrrën tuaj. Ju keni të drejtën të mësoni çdo qytetar të këtij vendi pavarësisht nga bindjet e tij politike të bashkohet me ne, për Shqipërinë evropiane, të bashkohet me ne, për projektin më madhor të një kombi, për vendin e tij, për familjen e tij. Një nga objektivat më kryesore të miat është së pari Shqipëria me numër studentësh në vitin 2013, më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, sepse ne jemi më të rinjtë, sepse ne në këtë mënyrë bëjmë investimin më madhor për të ardhmen tonë”, tha Berisha. 

Kreu i qeverisë theksoi në vijim se Shqipëria do të ketë infrastrukturën më modernë në rajon dhe Evropë. “Në katër vjet unë së bashku me ju do të bëj që Shqipëria të ketë një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne”, shtoi kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›