Kandidatët e PD-së Mjalinda Bregu dhe Indrit Fortuzi denoncojnë abuzimet e Ramës me lejet e ndërtimit
Edi Rama, pallat në mes të lagjes bllokohen banorët
Gjatë një takimi me banorë të rrugës “Jordan Misja”, kandidatët e PD-së për Tiranën Majlinda Bregu dhe Indrit Fortuzi evidentuan një tjetër abuzim të kryebashkiakut Rama me lejet e ndërtimit. Me anë të një leje ndërtimi të paligjshme, është ndërtuar një pallat shumëkatësh në rrugën Jordan Misja, në të ashtuquajturën lagjen “Braka”, në hapësirën ndërmjet pallateve të vjetra të banorëve autoktonë tiranas.
Banorët kanë denoncuar ndërtimin e këtij pallati, pasi siç u shprehën ata është absurde të bllokohet nyja kryesore për hyrjen në banesat e tyre, çka e bën të pamundur që në raste emergjente, zjarrfikëset dhe autoambulancat të depërtojnë në thellësi. Banorët thonë se shqetësimit të tyre, bashkia e Tiranës i është kundërpërgjigjur me një injorim total.
Kandidatët e Partisë Demokratike Majlinda Bregu dhe Indrit Fortuzi, panë nga afër këtë kolaps të shkaktuar nga dhënia e lejeve të paligjshme dhe deklaruan se do të merren të gjitha masat në mënyrë që të ndërpriten punimet.
Ministrja Bregu tha se do të denoncohet menjëherë kjo që po ndodh dhe se do të hetohet, se cila firmë punon dhe se si e ka siguruar lejen e ndërtimit.
Pronari i tokës së zënë, ku po ndërtohet pallati, Bedri Felluza, familja e të cilit jeton prej disa brezash në atë zonë, deklaron se askush nuk e ka pyetur gjatë vendosjes së mjeteve të ndërtimit, madje përkundrazi, thekson ai, në drejtim të familjes së tij, vazhdojnë të vijnë kërcënime.
Kandidatët e PD-së Majlinda Bregu dhe Indrit Fortuzi, garantuan se do të ndërhyjnë menjëherë me rrugë institucionale për bllokimin e kësaj afere korruptive dhe penalizmin e përgjegjësve.
Bregu dhe Fortuzi, vijojnë takime me banorët e Bregut të Lumit, ku ju premtuan se brenda javës përfundon procesi i legalizimeve.
...