E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidati i vetëm për Kryetar të LDK’së

Në Kuvendin e ardhshëm të LDK’së nuk do të ketë karriga që fluturojnë dhe as grushta që shkepen, sepse për fronin e saj nuk do të ketë garë dhe as luftë mes kundërshtarësh të ashpër deri në armiqësi.

Fatmir Sejdiu është kandidati i vetëm për ta marrë kryesimin e kësaj partie.

Ky është vizioni që kanë disa nga anëtarët e Kryesisë së LDK’së, tre muaj para se ta nisin procesin e brendshëm elektoral.

Por, gjërat mund të ndryshojnë dhe Fatmir Sejdiu mund të mos quhet lider i pakontestueshëm, siç konsiderohet aktualisht, nëse të tjerë emra shfaqen si opsion për ta drejtuar partinë e dytë në vend.

Sidoqoftë, tash për tash, ai është emri i vetëm që mendohet se do të konkurrojë për postin e Kryetarit të LDK’së, ndërkohë që mban postin e Presidentit të Kosovës.

Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu, nuk ka asnjë dilemë rreth kësaj çështje.

“Ma merr mendja se z. Sejdiu do të konkurrojë”, ka thënë Kryeziu, për Express, të dielën.
Ngjashëm shprehet edhe Naser Osmani, anëtar i Kryesisë së LDK’së.

“Nuk ka tjetër kandidat, përveç Presidentit Fatmir Sejdiu. Besoj se ai do të jetë i vetmi kandidat në këtë garë. Nuk pres kandidatura tjera. Ai edhe e meriton që të jetë Kryetar i LDK’së”, ka deklaruar Osmani.

Më i rezervuar në këtë pikë duket të jetë Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ramë Manaj.

Ai thotë se nuk mund të flitet për këtë çështje, derisa LDK ende nuk i ka shpallur zgjedhjet e brendshme.

“Gjithçka do të zhvillohet në frymë demokratike. Kush dhe për çfarë niveli do të konkurrojë, do ta tregojë procesi”, ka thënë Manaj, për Express.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti nuk guxon të ushtrojë funksion tjetër. Mirëpo, vetë Fatmir Sejdiu i ka bërë një interpretim Kushtetutës, duke pohuar se nuk është duke e shkelur atë, meqë postin e Kryetarit të LDK’së e ka ngrirë, ndonëse në aktin më të lartë të shtetit askund nuk përmendet “ngrirja” si mundësi.

Anëtarëve të Kryesisë së LDK’së nuk u prish punë që partia e tyre të mbetet edhe për katër vjet të tjera me “Kryetar të Ngrirë”, ndonëse analistët pohojnë se një LDK e tillë e ka të vështirë t’u hyjë reformave.

Eqrem Kryeziu thotë se i takon lidershipit të partisë që të vendosë për modalitetet që do të ndiqen në të ardhmen.

“Më herët ne jemi përcaktuar për opsionin që ta kemi Kryetarin edhe President të vendit. Është çështje e lidershipin të partisë se çfarë do të bëjë - a do ta ruaj autoritetin e Kryetarit të atillë të partisë apo jo”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në zgjedhjet e sivjetshme lokale u dëshmua i suksesshëm opsioni që kishte zgjedhur Kryesia e LDK’së, tri vjet më parë.

“Ne në këto zgjedhje patëm një rritje të elektoratit, jo aq sa ëndërrojmë, por ishte rritje. Kështu që, nuk mund të themi se ishte i pasuksesshëm Kryetari i LDK’së. Për herë të parë, në këto zgjedhje, jo vetëm që patëm stopim të rënies së elektoratit që filloi prej vitit 2001, por patëm një ngritje. Kjo është inkurajuese për këtë modalitet të Kryetarit Sejdiu, përkatësisht të Presidentit Sejdiu”, ka thënë Kryeziu.

Gjatë zgjedhjeve të sivjetshme lokale, ngritja e shpejtë e autoritetit të Isa Mustafës nxiti opinione të shumta për të ardhmen politike të Kryetarit të Prishtinës.

Ai u pa si një kandidaturë e fortë për postin e Kryetarit të LDK’së.

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Naser Osmani, mendon se Kryetari i LDK’së nuk ka arsye të ndërrohet.

“Do të vazhdohet kështu, sikurse deri më tash”, është përgjigjur Osmani, në pyetjen nëse është e gatshme LDK të vazhdojë të funksionojë me “Kryetar të Ngrirë” edhe për katër vjetët e ardhshme.

“Nëse e meriton një lider, sikurse është Fatmir Sejdiu, atëherë ne jemi në gjendje edhe kështu të vazhdojmë”, ka shtuar ai.

Fatmir Sejdiu u zgjodh Kryetar i LDK’së në dhjetor të vitit 2006. Në zgjedhjet e vitit 2007, LDK, për herë të parë, humbi primatin në skenën politike të vendit. Prej atëherë, reformat në parti vetëm janë përmendur, por deri më tash asgjë nuk është bërë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›