Përkrah Shtërpcën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ofruar përkrahje të Qeverisë për Komunën e Shtërpcës, ku dy ditë më parë u larguan strukturat paralele dhe u vendosën institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Kryeministri, së bashku me Ministrin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, kanë qëndruar të dielën në Komunën e Shtërpcës dhe janë takuar me Kryetarin e sapozgjedhur, Branislav Nikolic.
“Jemi këtu për të rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e fuqishme për projektet që janë në të mirë të gjithë qytetarëve të Shtërpcës, qoftë për rregullimin e rrugëve të reja, shkollave të reja, spitaleve, banesave sociale apo angazhimeve të tjera prioritare që janë në agjendat e Kryetarit Nikolic”, ka premtuar Kryeministri Thaçi.
Shefi i Ekzekutivit ka thënë se Shtërpca është një shembull i mirë i punës së përbashkët, i jetës demokratike dhe i organizmit të zgjedhjeve të lira.
Edhe Kryetari i ri i Komunës, Branislav Nikolic ka thënë se Shtërpca është shembull i jetës multietnike dhe pret përkrahjen e Prishtinës në zgjidhjen e problemeve të banorëve.
“Ministra dhe Kryeministri na kanë dhënë mbështetje si përfaqësues legjitimë të Komunës së Shtërpcës dhe se të gjithë e dini se Komuna jonë është një shembull i jetës multietnike në Kosovë, ku shqiptarët dhe serbët jetojnë së bashku”, ka thënë Nikolic, pas takimit që ka pasur me zyrtarët e Qeverisë.
“Për të gjitha projektet që kemi në plan t’i realizojmë në këtë periudhë, e kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Ndryshe, dy ditë më herët Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Branislav Nikolic ka përzënë strukturat paralele që vepronin në ndërtesën e Komunës.